“Shqipëria e konsullit Auguste Dozon”, një botim i ri i Luan Ramës, mbi konsullin francez Auguste Dozon (1822-1890), i cili ishte studjuesi i parë francez që mblodhi dhe botoi për herë të parë në Francë përrallat shqiptare dhe pjesë të folklorit të popullit tonë.
Bashkëpuntorët e tij të afërt ishin Krisoforidhi, Naim Frashëri, Apostol Meksi dhe rilindasit arbëreshë.
Konsulli Dozon që mblidhte përrallat shqiptare
«Të pakët në numër dhe të izoluar nga racat e tjera, ata mund t’i krahasojmë me një nga ata ishuj të shfaqur nga fundi i detit prej forcave vullkanike dhe në një periudhë të panjohur, një ishull, baza e të cilit është çliruar nga ujërat dhe ku pak nga pak, vëzhgimet e gjeologëve kureshtarë për të studiuar strukturën e saj bëhen më të hollësishme. Gjuha, e cila i veçon nga popujt e tjerë të botës, duket se përbën çelësin e prejardhjes së tyre dhe na zbulon se nga vijnë ata.
Por vetë kjo gjuhë, një mozaik i çuditshëm plot huazime, në pamje të parë nuk të ofron veçse një tjetër enigmë të habitshme dhe të padeshifrueshme... Qëllimi im kryesor ishte t’u jepja etnografëve dhe filologëve, pra, albanistëve (ky term mendoj se duhet tentuar të përdoret), disa elemente më shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Është një ndërmarrje modeste në vetvete që unë e mora shumë lehtë, e që në fakt, do më mundonte.
Të mblidhja përralla, këngë, proverba, kjo ishte gjithçka që doja të bëja në fillim. Por për t’i shkruar në mënyrë të saktë, nuk e kisha menduar aspak se për të shkruar në mënyrë te saktë katër fjalë të çdo gjuhe, duhej të zotëroje një gramatikë të saj, në mënyrën pothuaj më të plotë e sidomos të saktë. Me një fjalë, iu futa një pune për të mësuar shqipen, pa patur asnjë lloj qëllimi. Si rezultat i kësaj u shkrua dhe Eseja Gramatikore, hartimi i së cilës u bë njëkohësisht me mbledhjen e këtyre teksteve. Kjo ese është plotësuar me një Fjalor që përmban të gjitha fjalët që e formojnë atë, të cilat m’u desh t’i mbledh gojarisht...”
Këto fjalë janë shkruar nga konsulli francez Auguste Dozon (Ogyst Dozon) në vitin 1875, në veprën e tij të botuar në Paris Manual i gjuhës shqipe ose shqiptare, më 1875 pas një qëndrimi të gjatë në Janinë dhe pasi ndërmori udhëtimin e tij të gjatë për të përshkuar vendin e shqipeve nga Janina deri në Shkodër. Përshtypjet nga ky udhëtim ai do t’i titullonte Ekskursion në Shqipëri. August Dozoni është një nga albanologët europianë më në zë të shekullit XIX krahas studiuesve të tjerë si J. G. Hahni, Carl H. T. Reinold-i, J. R. Xylander-i, Gustav Meyer-i, Jarnik-u, apo Holger Pedersen-i, e më pas Hyacinthe Hecquard-i si dhe Alexandre Degrand-i, etj.
Madje ai na sugjeron dhe fjalën «albanist», e cila për një kohë të gjatë kishte humbur në trazirat e kohës dhe tani ka filluar të përdoret edhe ndër studiuesit shqiptarë e të huaj. Padyshim, «albanist» duket termi më i përshtatshëm për studiuesit e huaj që iu përkushtuan Shqipërisë, kulturës e historisë shqiptare. Dozoni bënte pjesë në radhën e atyre konsujve që ishin njëherësh si diplomat ashtu dhe studiues. Qëndrimet e tyre në vende të ndryshme të botës, edhe pse me mision diplomatik, shërbyen për njohjen e kulturave të këtyre vendeve. Dozoni e njihte mirë Ballkanin dhe do të shërbente në disa vende ballkanike, në fillim si kancelar, agjent konsullor dhe pastaj si konsull, si në Beograd, Mostar, Filipopolis të Trakisë, e po kështu në Janinë, e më pas përsëri në Mostar. Më vonë, ai shkoi në Larnaka të Qipros, duke përfunduar më vonë karrierën diplomatike si konsull i Përgjithshëm në Selanik të Greqisë.
Kur Auguste Dozoni u vendos në Janinë në vitin 1870, ai u lidh jo vetëm me intelektualë të diasporës shqiptare, veçanërisht me ata të Italisë së Jugut, siç ishin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, por dhe me Zef Jubanin në Shkodër, që do t’i shërbente me studimet e tij edhe konsullit tjetër francez në Shkodër, Hyacinthe Hecquard-it (Iasant Hekard). Veçanërisht do t’i shërbenin botimet e Thimi Mitkos, të grumbulluara e të botuara në Bleta Shqiptare, etj. Dozoni pati mundësi të njihte nga afër tre rilindës me emër, që e ndihmuan drejtpërdrejt në mbledhjen e trashëgimisë gojore shqiptare. Këta ishin Konstandin Kristoforidhi, Apostol Meksi dhe Naim Frashëri, që ashtu si vëllai i tij më i madh, Sami Frashëri, sapo kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea”.
Mund të lexoni më shumë mbi konsullin Dozon te Gazeta shqiptare, 25 maj 2014
en
Artikujt nga ky autor
- Kiço Blushi (1943-2019) : a screenwriter successful in Albanian cinema
- MEILLEURS VOEUX EN 2019 !
- Lecture-spectacle : Paroles aux Femmes, dimanche 16 décembre
- Soirée «Année Croisée» Kosovo-France, le mercredi 12 décembre
- UNESCO : une fenêtre dans l’art médiéval albanais pour le 60è anniversaire de la délégation de l’Albanie
- [...]
Tous droits réservés © 1997-2023 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 +
AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce