Albania

Foto : në objektivin e Roland Tashos

par Luan RAMA

të hënën 2 maj 2011 Nga en , Luan Rama

Këtë vit, Tasho mbush 30 vjet si fotograf. Nuk është pak kur mendon se në fondin e tij janë mbi 900.000 klishe që përbëjnë në shumicën e tyre një histori të tranzicionit shqiptar.

Roland Tasho ka qenë për një muaj ne Paris ku punon me pasion mbi disa projekte. Në rastin e Festës së Flamurit, ai ka prezentuar albumin "Les Albanais de France" në Paris.

 

Gjurmë të botës shqiptare në Paris

Parisi është padyshim një qytet ngazëllues për çdo vizitor dhe të çdo lloj moshe e profesioni. Por në veçanti, për një fotograf, është diçka më shumë, pasi në çdo itinerar, ti ndeshesh jo vetëm me dinamizmin njerëzor, por dhe me historinë e tij, pasi ajo është e dëshmuar në aq e aq monumente, skulptura, në emra rrugësh, pllaka përkujtimore, dëshmi të shkruara historike për ngjarje që kanë ndodhur në këtë apo atë rrugë dhe për personazhe i përkasin kohrave të largëta e gjer në ditët e modernitetit tonë. Por kësaj rradhe, objektivi i aparatit të fotografit shqiptar kërkon të fiksojë diçka tjetër, jo Eiffel-in, Louvre-in, Sacre-Coeur apo Arche de Triomphe dhe Place Concorde, por copëza të jetës njerëzore.

Pikëtakimi me Francën

Pikëtakimi i tij me Francën ka ndodhur para 17 vjetësh, atëherë kur do të merrte pjesë në një veprimtari kulturore në Die, me një ekspozitë fotografike në jug të Francës. Por ai do të vinte sërrish për një ekspozitë në ambasadën shqiptare në Paris. Dhe ndërkohë, né hollin e ambasadës, një nga drejtueset e kulturës së Bashkisë së Parisit, Antonia Bacheti, kur ia prezantuan ajo i tha: «Po ju përse nuk erdhët në Paris. Ne ju kishim rezervuar një bursë një vjeçare!... Tasho u habit nga kjo e papritur por dhe i erdhi keq që funksionarët shqiptarë nuk e kishin njoftuar dhe se bursa ishte djegur tashmë, me përgjigjen se «nuk gjëndet adresa e personit».

Sidoqoftë, Antonia Bacheti nuk e harroi atë dhe një vit më vonë e ftoi me një bursë katër mujore, për tu vendosur dhe për të krijuar në Cité International des Arts, (Qyteza Internacionale e Arteve), ku më parë kishin ardhur dhe artistë te tjerë shqiptarë si Tedi Papavrami, Klodiana Skënderi, etj. Për Tashon ato ditë do të mbeteshin të paharruara. «Zbarkova në Paris pas ngjarjeve tronditëse të vitit 1997, kur veshët i kisha ende me jehonën e krismave te tmerrshme në Tiranë. Për tri ditë rresht nuk arrija të flija, nga ajo qetësi e jashtëzakonëshme që gjeta. Të duket absurde. Dilja natën, pija ndonjë kafe dhe habitesha me atë paqe njerëzore. Dhe unë pyesja veten: «Po ne përse me krisma?»...

Gjatë katër muajve, me syrin në objektiv, Tasho bridhte nëpër rrugët pariziane për të deshifruar magjinë e këtij qyteti kaq të vjetër dhe të mrekullueshëm, që me të drejtë Ernest Hemingway e cilësonte «Një festë e pambarimtë». Kudo ndeshej me galeri fotografike, ashtu siç i gjente ato në muret e restoranteve dhe kafeneve apo në mjediset qytetare, ku fotografia ishte një lami e vërtetë e artit. “Fouquet’s”, një nga lokalet më lluksoze në Champs Elysées nga të katër anët em ureve ka fotografitë e aktorëve, shkrimtarëve, poetëve. «Këtu fjala «merci»-të («faleminderit») nuk kanë të mbaruar, pasi dhe kur hyjnë njerëzit në ashensor, kur kalojnë në metro, në rrugë apo në xhestin më të vogël, ata thonë fjalën «faleminderit».

Që në pikëtakimin e parë, Parisi për Tashon ishte një frymëzim i madh me rrugët, sheshet historike, ndërtimet e vjetra, urat, braseritë, kafenetë tradicionale me taraca, njerëzit e të gjitha kombësive që kryqëzoheshin dhe turistët e shumtë. «Pëllëmbë dhe histori», - më thotë ai me një gëzim të brëndshëm. Dhe kështu ai fotografonte nga Place de la Bastille dhe Place de Vosges, ku kishte jetuar Victor Hugo, jo vetëm një shkrimtar i shquar e vizatues i talentuar por dhe një admirues madh i fotografisë me Nadar në krye, duke ndjekur derdhjen e Senës, për të shkuar në Notre-Dame de Paris, Saint-Germain de Près, Café Flore apo Les Deux Magots, si dhe kafenetë historike të bulevardit të Montparnasse.

Më kujtohet që atëherë, në shumë nga këto bredhje kemi qënë sëbashku. Atëherë e çova të fotografonte «Sheshin Skënderbe» në Paris (Place Scanderbeg), në Café Procoppe, aq të lidhur me ngjarjet e revolucionit francez, në varrin e mbretit Zog në Thiais, në Rue Monsieur Le Prince, ku banonin studentët shqiptarë të viteve 30’ dhe Café Luxembourg, ku mblidheshin mërgimtarët politikë shqiptarë në vitet 40’-50’. Bashkë kemi qënë dhe në atelierin e Bujar Lucës apo të Omer Kaleshit, në masandrën e tij, aty ku pikëtakohen dritaret e piktorit me qiellin…

Dhe tashmë përsëri i njëjti rrugëtim në kërkim të personazheve: ai ngjit shkallët e Opera Bastilles apo Radio-France, nxiton në një metro për të shkuar ne Place Scanderbeg, shkon në Buttes aux Cailles për në restorantet bujare të Përparimit nga Patosi, për të fiksuar një pjesë të botës shqiptare në Paris, midis të cilëve dhe Alice, bijën e një emigranti shqiptar të viteve 20’, të Etem Shushit nga Delvina, dhe ai me restorantin e famshëm shqiptar gjer në vitet 70’ të quajtur “Desir” (“Dëshirë”) në një rrugë në cep të “Boulevard de Strasbourg”. Por si çdo artist, ai çdo çast jeton me syrin në objektiv për të fiksuar magjinë e jetës dhe botës. Një moment, në studion e tij në Cité International des Arts, ku ka ardhur për një muaj, ai më tregon disa fotografi të Parisit natën, një kompozim mbi Senën që rrjedh poshtë dritareve të tij, midis rrapeve dhe ku në sfond ngrihen kullat me gargujt e katedrales Notre-Dame (Shën Maria) e Parisit, që i hodhi themelet këtu në shekullin e XII. Imazhe të mrekullueshme që ngërthejnë brënda tyre poezi: ”Ja, këndej nga dritarja i fotografova. Ishte një natë e paqtë e transparente!”

Midis shumë historive që e lidhin këtë fotograf me Parisin, është dhe ajo që një ditë ai më tregoi pranë Pont d’Alma, një nga dyzet urat e Parisit që janë mbi Senë. Kur kishte ardhur në Paris, meqë fotografi i njohur me origjinë shqiptare Goksin Sipahioglu kishte hapur një ekspozitë në Tiranë, ai iu drejtua në zyrën e tij në Agjencinë SIPA-PRESSE, duke i treguar disa nga fotografitë e tij më të mira. Dhe Sipahioglu ishte gati ta angazhonte, por për Tashon, subjektet shqiptare ishin më domethënëse në atë kaos, por dhe progres të ngadaltë të shoqërisë shqiptare.

«Një mëngjes dola herët për të shoqëruar një mikeshë time suedeze që do të merrte metronë e parë. Kur u ktheva në godinë, roja më tha se disa herë më kishin kërkuar, ndërkohë në telefon. Më tha se ishin ata të Sipa-Presse dhe se princesha Diana kishte vdekur aksidentalisht në një aksident në Pont d’Alma. Kujtova se më kishin telefonuar për të më kërkuar të fotografoja këtë ngjarje dhe shkova menjëherë. Nën urë, sapo e kishin larguar makinën e shkatërruar dhe kalimtarët e parë po mblidheshin aty rreth. Pas pak një shok më njoftoi se ata të Sipa-Presse më kishin kërkuar, meqë policia kërkonte dhe një fotograf të Sipa-Presse që me motorr kishte ndjekur nga pas makinën në çastin e aksidentit. Por shpejt, ata e kishin kuptuar se ishte dikush tjetër… Sidoqoftë, të fotografoje atë vend fill pas aksidentit, ishte diçka emocionante. Njerëzit e parë filluan të vendosnin lule…”

Ecim sëbashku në Place Châtelait, ku përballë dy teatro na kujtojnë shfaqjet e vazhdueshme të dy artistëve të mëdhenj shqiptaro-francezë: Teatri i Qytetit (Théatre de la Ville) me shfaqjet e koreografit Angjelin Prelocajt dhe Teatri Châtelait (Théatre de Châtelait) me Inva Mulën, duke kënduar me Plaçido Domingon. Por veç këtyre majave, duhet thënë se mikrokozmosi shqiptar brënda këtyre njëzet vjetëve ka ndryshuar shumë. Eshtë një lloj magme lëvizëse drejt progresit, modernitetit, integrimit në shoqërinë franceze, pa harruar origjinën vëndlindjen dhe ku çdo kush në punën e tij, mendon se ç’mund t’i afrojë mëmëdheut të vet. Kjo ndodh dhe me gastro-enterologun Ardi Tirana, i cili të flet me një adhurim për Shqipërinë dhe pjesmarrjen e tij në konferencat mjeksore me kolegët e tij shqiptarë. Të gjithë ne jetojmë me Shqipërinë. Dhe duke pirë një kafe me dy “Doktorë Shteti”, Robert Progri dhe Remzi Pernaskën, përsëri biseda shkon tek Shqipëria dhe hallet tona shqiptare, që siç thotë populli “gjuha shkon aty ku dhëmb”. Dhe Tasho fotografon, fikson portrete dhe imazhe. Ja pse në objektivin e tij, në atë «camera obscura», edhe pse filmi nuk flet, është portreti ai që përcjell mesazhin, është «drita që shkruan», për çka dhe Kolë Idromeno e Pjetër Marubi i quanin studiot e tyre «Dritëshkronja». Ja pse dhe ambasadorja franceze në Tiranë, Maryse Daviet dhe këshilltari i saj Raymond Chaffort e mbështetën që në filllim këtë ide për të fiksuar imazhet e një komuniteti shqiptar që mbetet një lidhje e fuqishme mes Francës dhe Shqipërisë.

Dhe krahas kërkimit të personazheve të tij, Tasho kërkon gjithashtu të gjejë botimet më të fundit të fotografisë franceze, në FNAC apo në «Mona Lisait» ku blen libra fotografikë, një Tina Modoti, një Bresson, një Capa, Evans apo Adams. Tasho më kujton një detaj kur dhjetë vjet më parë, kur Bresson kishte vdekur, Le Monde i kishte kushtuar dy faqe të plota veprës së tij. «Më kujtohet që kjo gjë më la mbresë, pasi duke më treguar gazetën, ti the se ndoshta për një politikan nuk do të bëhesh një nder i tillë siç i bëhet një fotografi si Bresson». Po, është vlera që i jep shoqëria artistit, nderimi për veprën e tyre. Ja pse dhe Tasho e mban si një arritje, kur në ekspozitën e hapur para disa vitesh në Cité Universitaire në Paris, fotot e tij u vendosën pranë atyre të Willy Ronis, një prej gjigandëve të fotografisë botërore, siç ishte dhe miku I tij, shqiptaro-amerikani Gjon Mili. Ronis ashtu si dhe Mili janë dy nga fotografët e tij të preferuar. Nudot e Ronis, i cili fotografoi Shqipërinë e viteve 30’, jeta qytetare e fiksuar prej tij, janë po aq të bukura sa portretet e kompozimet e Gjon Milit (midis të cilave Picasso, në dinamikën e lëvizjes së xhestit dhe vizatimit).

Me syrin në objektiv

Për sa kohë ndenjëm bashkë në Paris, Tasho nuk e shkëputi nga vetja aparatin e tij «Nikon D 300» dhe nuk e hoqi syrin nga objektivi apo realiteti që e rrethonte. Gjithnjë në kërkim të së veçantës «Fotografia e bukur është fotografia e shkrepjes së parë, - më thotë ai. – Sigurisht, duhet ta kërkosh që më parë fotografinë, kompozicionin, gjëndjen e personazhit e pastaj ta shkrepësh aparatin. Por klisheja e parë mbetet ajo që mbart emocionin e parë.» Ndalojmë para bukinistëve në brigjet e Senës, ku janë ekspozuar libra, fotografi të vjetra, gravura, piktura, një tradicion i vjetër ky i parizianëve. Ballë një morie fotografish të Brassens, Piaff, Che Guevara apo Bitëllsat, si dhe Puthja e fotografit të madh francez Robert Doisneau, të cilin Tasho e admiron jashtë mase unë kam rastin ta fotografoj atë. Bëjmë disa hapa dhe i rikthehemi bisedës mbi fotografinë. «Fotografia është ide, - shton ai. - Nëse nuk ka brënda saj një mesazh, atëherë s’kemi fotografi. Eshtë thjesht një imazh i një realiteti të dhënë, një imazh i fiksuar.» Pranë nesh, një vajzë, fytyrën e së cilës e ka mbuluar një kapele e madhe, është pështetur në qepenët e bukinistëve, duke lexuar një libër dhe tej në sfond rrjedh Sena. Një kompozim i mrekullueshëm që ai nuk mungon ta fotografojë. Ai është aq i dashuruar me këtë qytet sa që ka gjetur një formulë të çuditëshme për ta karakterizuar atë: «Parisi është një «oksigjene fotografik», ku për të, siç duket, gjithçka është e fotografueshme, mjediset, parqet, retë, rrugët, portat e mëdha të ndërtesave, Parisi i vjetër me gjurmët e shekujve dhe emrat e poetëve dhe mendimtarëve të saj ngado, Quai Voltaire, Boulevard Beaumarchais, Rue Charles Baudelaire, Place Victor Hugo apo dhe Rue Boçari… pasi ky qytet është ndërtuar me shumë dashuri dhe njerëzit dinë ta nderojnë historinë e tij. Mjafton të ngjitesh pak në lartësi, apo të ngjitesh në një çati pariziane, për të zbuluar një poetikë më vete, atë të çative pariziane, të ndërtuara me një mjeshtëri të rrallë dhe të mbuluara me pllaka plumbi apo me fleta bakri. Duke hypur në një ballon, bashkë me Gjergj Themelin e EUTELSAT dhe Sokol Vreton e FRANCE-TELEVISION, dy miq të vjetër që prej 20 vjetësh jetojnë në Paris, Tashos padyshim i është dukur vetja si në ballonin e Jules Verne, në Rreth botës për 8O ditë, apo si në përshkrimin e Maupassant, kur ai guxoi të hipte në ballon dhe të përshkruante Parisin.

Këtë vit, Tasho mbush 30 vjet si fotograf. Nuk është pak kur mendon se në fondin e tij janë mbi 900.000 klishe që përbëjnë në shumicën e tyre një histori të tranzicionit shqiptar. Nga jeta në kohën totalitare, kur fotograf i ri punonte për revistën Ylli me një aparat «Linhof» apo «Hasenbad», më pas ai do të fiksonte ngjarjet tronditëse dhe historike njëkohësisht të viteve 1990-1991-1992 me shëmbjen e sistemit totalitar dhe fitoren e demokracisë. Imazhet janë të shumta. Copëza historie, ku historia flet përmes njerëzish shpesh anonimë, por që mbartin në fytyrën e tyre gjurmët e kohës. I tillë ishte dhe imazhi i një prej fotografive më të bukura të tij, Plaku kosovar, 1999, që ai e fotografoi në kampin e ngritur në Tiranë për kosovarët e dëbuar nga Kosova nga tanket e Milosheviçit, të cilët gjetën strehë dhe dashurinë vëllazërore në Shqipëri. «Më bëri përshtypje ai plak që rrinte ulur dhe pinte cigare pa folur me një dhimbje të thellë në sy. Iu afrova me aparatin në dorë. Por ai nuk foli dhe nuk lëvizi. Vazhdoi të pinte duhan. E shkrepa aparatin dhe ai përsëri pinte duhan pa folur. Përjetonte një dhimbje të madhe…»

 

Semiologji e imazhit sipas Roland Barthes, ku imazhi, fotografia, nganjëherë mbart një tension dramatik më të madh se një fjalim apo konferencë e tërë për një ngjarje. E tillë është kjo dhe në një fotografi interesante që ai ka fiksuar me Jusuf Vrionin dhe poeten Mimoza Ahmeti kur para pesëmbëdhjetë vitesh ata ishin në Paris, para katedrales Notre-Dame dhe kur Mimoza ka hequr sandalet e saj dhe zbathur pozon me kokën mbështetur mbi supin e tij. Detaji është i rëndësishëm për një kompozim të tillë, ashtu siç është një fëmijë në turmën e fotografuar në manifestimet e vitit 1991, i cili ka ngritur dy gishtat lart.

 

 

 

 

Urat midis dy brigjeve

Një nga kapitujt e fotografive të Tashos, që simbolikisht mund ta quanim «Urat midis dy brigjeve» është dhe ajo e shqiptaro-francezëve, pra e shqiptareve të martuara me francezë apo e francezëve të martuar me shqiptarë. Dhe ata janë të shumtë, si shprehje e pikëtakimit të popujve, shprehje e dashurive të ngjizura dhe ku dashuria e kapërcen nocionin e nacionaliteteve dhe kufijve, të ngjyrës dhe racës, pasi është ajo që i jep frymë njeriut dhe e mban atë të lidhur fort pas jetës, ekzistencës. Nëse Karl Topia në shekullin e XIV ishte një pinjoll me gjak shqiptar e francez, pra një pinjoll shqiptaro-francez, kjo dëshmon për pikëtakimet e hershme të shqiptarëve dhe frankëve. Topia e vuri heraldikën e zambakëve mbretërorë francezë në emblemën e tij, çka e shohim dhe në një nga afresket e një kishe të Beratit. Para disa ditësh, Tasho u shkëput nga Parisi vetëm për një week-end, për të shkuar gjer në Shkodër, për të fiksuar martesën e një shqiptareje të bukur, Erionës, që sapo ka mbaruar shkencat politike në Paris, me të dashurin e saj francez Gerôme. Por habia është se dhe motra e saj erdhi po nga Parisi, pasi dhe ajo është martuar po me një Gerôme tjetër. «Një dasëm e jashtëzakonshme» - më thoshte ai, duke më treguar mbresat e asaj dasme, ku dasmorët francezë, të zbarkuar nga avionet, niseshin drejt Shkodrës për tu ngazëllyer me dasmën e famshme shkodrane plot këngë. Ceremonia do të vazhdonte pastaj në Normandi, në veri të Francës. Kështu, pas këtyre lidhjeve të fuqishme, vijnë fëmijët, pinjollët franko-shqiptarë, gjenerata më e re, ata që do të mbartin fort këtë lidhje dhe miqësi të dy popujve tanë. Mbesa ime Lola, mbi dy vjeç, fjalët e para i ka mësuar në shqip, duke thënë fjalët «bukur», «gëzuar», «të dua» ose «erdhi babi»… Dhe është padyshim një emocion i veçantë të fiksosh imazhe të tilla.

E ardhmja

Roland Tasho dëshiron që studentët shqiptarë të jenë një kapitull më vete në librin e tij të ardhshëm. Atë e habit fakti që këta dhjetvjeçarë të fundit studentët që studjojnë në Francë janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. Ata i gjen në Sorbonne, në universitetet e Saint-Denis, në «Denis Diderot», në universitetin e Nanterre apo në apo të qyteteve të mëdha si Lyon, Bordeaux, Montpellier, Nante, Nice, etj. Por sigurisht, shumica kanë preferuar Parisin. Dhe kështu fotografi e ka të lehtë t’i pikëtakojë ata gjatë një « week-end”-i në periferi të Parisit, në Parc Daumesnil, ashtu së bashku në një shoqëri të lumtur dhe të lirë, çka të kujton studentët e hershëm shqiptarë, ata të viteve 30’, kur ashtu në grupe, dilnin herë në Kullën «Eiffel», herë buzë Senës e Place de la Sorbonne, apo në sheshet universitare në Montpellier, Toulouse, etj. Shumë prej ish studentëve janë sot inxhinjerë dhe menaxherë, mjekë, informaticienë, ekonomistë e financierë. Vetëm në Bankën e «Société Générale», janë tre prej tyre që punojnë në selinë e saj, në Defense. Të tjerë janë në bankat e «Credit Lyonais» apo «BNP», në «Veolia» për energjitë ekologjike dhe «mullinjtë e erës», etj. Por ka prej tyre që kanë preferuar Drejtësinë apo shkencat Politike dhe të Komunikimit. Shumë prej tyre janë kthyer për të dhënë eksperiencën e tyre direkte në Shqipëri, të tjerë, kanë hedhur rrënjët, apo “themelet” e këtyre urave që lidhin Shqipërinë dhe Francën. Dhe kjo është e gëzueshme, sepse janë ata interlokutorët e së nesërmes, të së ardhmes, shprehje e proçeseve integruese. Dhe në objektivin e Tashos, ata fiksohen në ambientet e tyre të punës, pranë ordinatorëve. Syri i fotografit, synon të regjistrojë atë çka shpreh portreti, pasi dhe portreti «flet», është gjuha e dritës, e syrit, meditimit apo dinamizmit që mbart vetë një fytyrë njerëzore.

Paris, mon amour

Roland Tasho shkruan kështu një jetëshkrim diaspore e cila i përket së sotmes, por që nesër do t’i përkasë historisë, siç e konceptonte filantropi dhe humanisti Albert Kahn, i cili në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX dërgoi në të katër anët e botës fotografë e kameramanë (si dhe në Shqipëri) që të fiksonin fytyrën e botës, të popujve dhe të qytetërimeve. Dhe kjo është e kuptueshme edhe për fotografët sot, edhe për Tashon dhe kolegët e tij artistë, pasi një shekull më vonë, të gjithë këta portrete do të tregojnë për copëza historie e jete, atë të pikëtakimit të shqiptarëve dhe francezëve, siç ishte ky që në kohën e normandëve dhe të anzhuinëve. Dhe kështu, ai të jep ngasjen që si amator, edhe ti të rrëmbesh aparatin fotografik dhe të fiksosh imazhet e këtij qyteti historik, qyteti i dashurisë dhe i artit, të botës intelektuale dhe politikës, të frymëzimit të përhershëm, të ndërtosh cikle fotografike si «urat mbi Paris», «Parisi që flë», «dashuritë pariziane», «bohemët e Parisit», dhe mbi të gjitha për ne, «gjurmët shqiptare» në Paris, pasi ato janë jo të pakta.

Ne u ndamë me Tashon para pak ditësh. Ishte i gëzuar që kishte blerë një album fotografik mbi Parisin të titulluar «Paris, mon amour», («Paris, dashuria ime»), me foto nga fotografët më në zë francezë si Capa, Doisneau, Ronis, etj. Të duket se dhe ai kërkon të shkojë në vazhdën e këtyre «dashnorëve të mëdhenj të Parisit», si në një këngë të Edith Piaff, po për Parisin. Pjesa më e madhe e fotografëve kanë vdekur. Edith Piaff, më «këngën e këputur në mes», ka vdekur gjithashtu. Por fotografitë dhe këngët, kanë mbetur dëshmi të gjalla të kësaj dashurie. Ja pse Parisi për Tashon ka vlerë të dyfishtë: si vënd i kulturës dhe historisë dhe si pikëtakim me shqiptarët që e kanë aq shumë për zemër këtë vënd.

Luan Rama

Lexoni edhe "Një ekspozitë me shqiptarët që jetojnë ne Francë" nga Magdalena Alla te Shekulli

Te ky siti edhe lexoni : Lisboa : Ekspozita “Natyra dhe Historia e Shqipërisë përmes fotografisë”


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 2279098

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2023 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce