Invent Yourself ose Historia e nje laboratory fotografik
të enjtën 3 korrik 2003 Nga en
Shpeshherë një ide e rastit bëhet shkas për të realizuar një projekt të guximshëm. Kështu ndodhi edhe me idenë që pati dr. Christian Zindel, drejtori i Antenës Pro Helvetia në Tiranë, i cili, duke parë dëshirën e artisteve shqiptare për të punuar me fotografinë dhe mungesën e kushteve për të realizuar dëshirat e tyre, propozoi të instalonim një laborator fotografie në qendrën kulturore Lindart.
I pari që dhuroi disa pajisje për këtë laborator të ardhshëm dhe shprehu dëshirën për të trainuar artistet ishte fotoreporteri i njohur Pirro Naçe. Më pas, në muajin tetor 2001, ditën e hapjes së ekspozitës ‘Invent yourself’ me punime të 13 artisteve shqiptare në Qendrën Kulturore Karl der Grosse në Zyrih, ideatorja e elspozitës dhe e workshop-it me të njëjtin emër, Monica Von Rosen na njohu me fotografen zviceriane Barbara Hausamann, e cila na premtoi të na sillte pajisjet për një laborator fotografie, në mënyrë që gratë artiste të kishin mundësi të punonin vetë për të zhvilluar filmat e stampuar fotot e tyre artistike. Dhe në muajin gusht të vitit 2002 erdhën pajisjet dhe vetë Barbara Hausamann, e cila punoi me duart e saj për të instaluar raftet, lavamanët, aparatet në dhomën e caktuar për laboratorin në Qendrën Kulturore Lindart në Tiranë.
Nuk është sentimentalizëm ta quash këtë laborator fotografik historik, sepse është fryt i një solidariteti, sepse tashmë Pirro Naçe i ka bërë vend vetes në historinë e fotografisë shqiptare, dhe ne kemi privilegjin të kemi pajisje me të cilat ai ka punuar, sepse është përpjekje e një grupi grash artiste për të bërë diçka idealiste, të dobishme për kulturën shqiptare në një periudhë kur te ne sundon fryma pragmatiste në të gjitha fushat.
Kështu nisi udhën një laborator fotografik, i vetmi i llojit të vet në Shqipëri, pasi do të përdoret për prodhimin e veprave të artit fotografik prej grave artiste.
Në Shqipëri arti i fotografisë së lirë është në hapat e para, madje akoma nuk ka një galeri për të ekspozuar vetëm fotografinë; vetëm pas viteve ’90, me nismën e Gëzim Qëndros, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, u organizua i pari konkurs i fotografisë artistike, i quajtur ‘Marubi’. Ishte shumë e vështirë të gjeje një laborator të pajisur e të përshtatshëm për të realizuar foto artistike bardhë e zi sipas kërkesave profesionale, ndërsa për vetë artistët, që dëshironin të punonin me fotografinë, ishte e pamundur të kishin një laborator të tyre. Tani nuk është më.
Secili ka të drejtë të shohë, pavarësisht se kë, pavarësisht se kur, se si. E drejta për të parë është më e nevojshme, më e domosdoshme se çdo e drejtë tjetër e njeriut. Këtë e kupton ai që ka parë njëherë në mënyrë të ndërgjegjshme, e, që, jam e sigurt, nuk e ndërron këtë të drejtë me asnjë tjetër. Vështrimi është ai që i jep edhe shprehje portretit tonë, shije veprës sonë, vlerë të jetuarit me të tjerët, megjithëse akoma nuk dimë shumë gjëra për sytë, për vështrimin, për atë që ndodh pas tyre, në dhomën e errët të kokës sonë. Me shpikjen e fotografisë, njeriu pati edhe një mjet tjetër për të vizatuar, gdhendur apo pikturuar, përveç penelave, daltave, ngjyrave: pati dritën.
Për të provuar kënaqësinë e të pikturuarit me anë të përdorimit të dritës, për të provuar forcën e magjisë së aparatit fotografik, akoma pak të përdorur si mjet krijimi në Shqipëri, në muajin prill të vitit 2001 në qendrën kulturore Lindart, të sapohapur për publikun, u organizua një workshop i ideuar dhe i drejtuar nga artistja gjermano-suedeze Monica von Rosen. Titullohej ‘Invent yourself / Rikrijo vetveten’. Qëllimi ishte: të përdorej aparati fotografik si mjet shprehës artistik për të provuar të shihej në të ardhmen e secilës. Monica von Rosen kishte mjaft përshtypje nga takimet me artiste të ndryshme shqiptare gjatë vizitës së saj në Tiranë, në bisedat e të cilave kishte ndjerë pesimizëm dhe pasiguri për të ardhmen. Ky pesimizëm yni i ndeshur në çdo hap, e shtyu të organizojë një bashkëpunim me këtë tematikë. U ftuan të marrin pjesë artiste të moshave e drejtimeve të ndrysh-me, shumë prej të cilave e përdornin aparatin fotografik për herë të parë - edhe kjo një kërkesë tjetër e këtij projekti. Tema u kërkonte të gjithave që me anë të fotove të gjurmonin vetveten dhe të mund të ndërtonin të ardhmen e tyre në figurë, duke harruar për disa çaste pesimizmin dhe shpresën e humbur. Ishte një lloj terapie me anë të përdorimit të fotografisë. Rezultati ishte mahnitës. Qe mjaft mbresëlënëse të shihje në mbrëmje, të trembëdhjetë pjesëmarrëset në workshop, duke shtruar dyshemenë e sallës me fotot e realizuara gjatë ditës, duke përzgjedhur bashkë me Monica-n fotot që nuk ‘zbulonin’ gjë. Ishte një lloj redaktimi i fotohistorive që po ‘shkruheshin me dritë’.
Në nëntor të vitit 2002, pasi përfundoi montimin e laboratorit, Barbara Hausammann organizoi edhe një workshop mbi fotografinë bardhë e zi. Pjesëtarë të grupit ishin katër artistë të rinj: një djalë e tri vajza, të cilët provuan kënaqësinë që të jep syri ndërmjetës: aparati fotografik, si dhe kënaqësinë e të punuarit me duart e tua për realizimin e fotografive edhe mbi letër. Ekspozita e organizuar më 15 nëntor 2002 me fotografitë e rea-lizuara tregoi se çfarë mrekullie i dha në dorë njeriut Niepce më 1839, kur ndërtoi aparatin e parë fotografik. Përqëndrimi vetëm në dy tonet: bardhë e zi, bëri që punimet e realizuara të jenë më goditëse dhe të përqëndruara në thelbin e dukjes. Ekspozita ishte fryti i parë i laboratorit të qendrës Lindart.
Në bibliotekën e qendrës kulturore Lindart ka mjaft libra e re-vista për fotografinë, dhuratë nga shoqata ‘La Courte Echelle’, në Vitrolle - Francë; nga Ambasada e Zvicrës, e Republikës Franceze dhe e Gjermanisë në Tiranë; nga Fondacioni Kulturor Pro Helvetia në Zyrih – Zvicër; nga Riet Van der Linden - historiane arti nga Hollanda, të cilët kanë ushqyer dëshirën për të punuar me fotografinë. Workshop-i ‘Invent yourself’ ishte hapi i parë. Ekspozita e Barbara Hausammann dhe katër artistëve shqiptarë ishte hapi i dytë në rrugën e artit të fotografisë për qendrën kulturore Lindart dhe gratë artiste shqiptare të shekullit të 21-të.
Fotografia është shumë e hershme në Shqipëri, por vetëm shumë vonë u bë e mundur të shpreheshin ide duke përdorur këtë mjet të mrekullueshëm, pasi niveli i ulët i jetesës, sundimi otoman e më pas shteti totalitar nuk lejonin të përdorje aparatin fotografik për të bërë fotografi, siç mund t’i quajmë ndryshe, ‘të lira’. Mund të tingëllojë absurde thënia ‘fotografi e lirë’, pasi është njëlloj si të thuash ‘të kesh të drejtë të shohësh’. Po nuk kanë qenë, nuk janë të rralla rastet kur vështrimi dhunohet, kur mohohet e drejta për të parë sipas dëshirës.
Vetëm pak ishin në Shqipëri në vitet ‘80 të shekullit të 19-të ata që mund t’i lejonin vetes të kishin një aparat fotografik, për shkak të nivelit të ulët ekonomik e kulturor të vendit më të varfër të Evropës. Shqipëria kishte qenë pjesë e Perandorisë Bizantine, pra i përkiste besimit ortodoks, pjesa konservatore e fesë kristiane, më pas, për më se 500 vjet, qe nën sundimin e Perandorisë Turke, e cila i detyroi dy të tretat e popullsisë të kthehen në fenë myslimane që të mund të mbijetonin dhe vendosi të tjera rregulla morali (një ndër të cilët nuk lejonte fotografimin e figurës së plotë të njeriut). Megjithatë në qytetet më të përparuara të Shqipërisë, si: Shkodra në veri e Korça në lindje, fotografia, madje edhe kinemaja, hyri jo shumë vonë pas shpikjes së saj. Fotografë, si: Pjetër Marubi e Kol Idromeno (i cili ishte edhe piktor e arkitekt) në Shkodër, Kristaq Sotiri në Korçë lanë të dokumentuara përpjekjet e para në fushën e fotografisë shqiptare. Fotografitë e tyre bëheshin për qëllime tregtare, të porositura nga klienti, por edhe për kënaqësinë e autorëve. Kemi prej tyre peizazhe apo edhe portrete e kompozime në grup njerëzish; madje, ashtu si impresionistët francezë, Kol Idromeno i përdorte fotografitë për të bërë më pas piktura sipas tyre. Këto fotografi sot janë ndër thesaret e fondit të fotografisë shqiptare. Nëpërmjet tyre mund të njohim historinë, psikologjinë, veshjet e zakonet e shqiptarëve të asaj kohe. Ndoshta kjo, sepse portreti fotografik në vitet e para të jetës së saj, kishte vlerën e një portreti bardhë e zi në pikturë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nën regjimin totalitar, i cili e futi vendin në familjen e vendeve socialiste të Evropës Lindore, pavarësisht se Shqipëria ishte në skajin më të largët të saj, më pranë demokracive të Perëndimit, as që mund të bëhej fjalë për një „vështrim të lirë“, për një ‘fotografi të paangazhuar’.
Studiot fotografike ishin pronë e shtetit, pjesë e ndërmarrjeve komunale, ishin pjesë e shërbimit publik. Mijëra e qindra mijëra portrete të ngrira, përbëjnë galerinë e krijimtarisë së atyre viteve. Në dallim nga tiparet heroike, primitive, të ashpra të portreteve të malësorëve, luftëtarëve e intelektualëve të galerisë së Marubëve, apo portreteve elegante e romantike me nuance perëndimore të galerisë së Sotirit, fotot e periudhës së socializmit real janë burra, gra, fëmijë, familje, grup-njerëzish pa dallim niveli klasor apo intelektual, janë portrete qeniesh njerëzore, që pozojnë të lumtura në paditurinë e tyre, portrete të njeriut të ri, pa asnjë të drejtë qytetare, përveç asaj të bindjes pa kushte ndaj partisë-shtet. Autocensura u bë pjesë shtesë e moralit, e kulturës që kishin lënë kanonet e ortodoksisë apo sundimi otoman, u bë pjesë e metabolizmit, pjesë e mënyrës së jetës, aq sa ishte e vështirë të diagnostikohej si handikap te individi. Kjo mangësi u bë e dukshme, e prekshme vetëm në vitet ’90, kur shoqëria shqiptare ‘kapërceu murin e Berlinit’ dhe hyri në radhën e shoqërive të hapura, duke patur, për herë të parë pas 990 vitesh, mundësinë të krahasonte idetë e veta me idetë e banorëve të pjesës tjetër të botës, pa ndërmjetësinë e shtetit, apo të fesë.
Prandaj mendoj se fotografia e lirë, loja e njeriut me vështrimin dhe me dritën, fotografia si vepër e ndërgjegjshme arti, duke përdorur si mjet aparatin fotografik, është e re te ne dhe nis vetëm në vitet ’90.
Çlirimi shpirtëror shoqërohet me çlirimin e të menduarit, pra dhe të vështrimit. Nuk ishte e lehtë, nuk është e lehtë për të gjithë të çlirohen nga autocensura e rrënjosur për 990 vjet.
Më të lehtë për të kapërcyer këtë mangësi, tashmë gjenetike, e patën të rinjtë, madje femrat artiste. Krijimtaria e tyre dallohet për guximin me të cilin trajtojnë subjektet, duke drejtuar vështrimin në radhë të parë nga vetja. Pjesa më e madhe e tyre përdorin si model veten. Fotografia është përdorur me shumë sukses si mjet prej grave artiste për të realizuar krijime, ku mbartet dëshirë për të thyer të gjitha sferat që përbëjnë moralin e vjetër e që kushtëzojnë jetën e bashkësisë: të ndrydhjes, të fshehjes, të turpit, të frikës. Në fotot e Rudina Memagës, Suela Muçës, Silvana Ninit, Fabiola Jozes etj., përpara objektivit shpesh vendoset vetvetja, gruaja. Ky është akti i parë drejt mënjanimit të sferës së turpit. Si femër, për më tepër si femër shqiptare, ato e ndjejnë dhunën maskiliste që është shtyllë e moralit, e mendësisë vendase. Morali ndrydhës, i cili edhe sot vajzën e quan krijesë të një kategorie më të ulët se djali, i detyron artistet të përdorin trupin, shpesh të zheshur të femrës, si për të thënë se nuk është turp një trup i zhveshur, por është turp një vështrim i paturpshëm i një njeriu, që e trajton femrën si mall i cili mund të hidhet pas përdorimit. Nëse ka prostituta, kjo ndodh sepse ka blerës të këtij shërbimi, të cilët jo rrallë janë ‘burra të nderuar’, ‚besimtarë‘, që në publik dënojnë prostitucionin. A nuk lindim të zhveshur ? Po të qe mëkat, pse Zoti nuk na krijoi me rroba sipër lëkurës? Pse nuk ka raste dhune seksuale në fiset primitive? (Sepse nuk ka ligje që e lindin atë?).
Fotot e ciklit „Eau de Parfum“ të S.Muçës, apo ‘Slogan’ të F. Jozes, ‘Pa titull’, ‘Mirela’ të R. Memagës, fotot e Rovena Agollit etj. kanë brenda tyre ironinë, sarkazmën, vështrimin ndryshe të femrës, e cila e ndjen se nuk është aspak më inferiore se gjinia tjetër, po morali, që akoma ka ngjyrime mesjetare, ka vulën e pushtetit të mashkullit, ka shtysë moton ’të mbash pushtetin’, dhe i detyron autoret të shkrepin aparatin për të ilustruar protestën ndaj trajtimit të gruas si pronë e burrit. Ndryshe nga piktura, fotografia është një sy dhe një dorë më e shpejtë, duke mos lënë asgjë të humbë nga emocioni. Nga ana tjetër mundësia e realizimit të disa kopjeve në të njëjtën kohë bën të mundur shpërndarjen e saj në një kohë të shkurtër, e shpie më lehtë pranë publikut. Sot është e padiskutueshme vlera e fotografisë si një nga artet, krahas filmit dhe videos. Në botë tashmë janë të shumta gratë artiste dhe është e pamohueshme ndihmesa e tyre në artet pamore, ku përfshihet, padyshim edhe fotografia.
Gradualisht kjo po ndjehet edhe në artin shqiptar, në aktivitete ku edhe artistet fotografe po fitojnë të drejtën e qytetarisë, po gjithmonë do të kujtohen fotografët e parë dhe fotografja e parë, Fotina Goro nga Himara, si pjesë e librit të ‘çudive shqiptare’, i cili akoma duhet shkruar. Pirro Naçe tregon për të: Kam njohur jetëshkrime dhe vepra intere-sante të grave artiste fotografe nga Europa dhe Amerika. Por unë dua t’ju rrëfej për një shqiptare nga Bregu, nga Himara, që ka hyrë bukur në historinë e fotografisë shqiptare.
Është Fotina Bodini Goro, e cila mësoi për fotografinë nga i shoqi, Jani Pano Goro (fotograf që vinte nga Sen Etieni i Francës). Fotina e ushtroi fotografinë në Himarë e fshatra gjatë viteve ’30 të shekullit XX. Ajo nuk dinte gjuhë të huaja, por i shqiptonte aq mirë në frëngjisht proceset laboratorike të zhvillimit e stampimit: metolin, hidrokinonin, karbonatin, sulfitin, metabisulfitin, retushin etj. Mes tjerash dinte që Emil Zolai, shkrimtari i famshëm i romanit Zherminal dhe i artilkullit tronditës ‘Zh’akyz’ (Akuzoj), ishte edhe fotograf. E njoha vonë Fotinën, kur ajo po kalonte të tetëdhjetat. Më tregonte, e tregonte me bukurinë e një të diture. Dhe unë i putha dorën në shenjë përuljeje e nderimi, i lumtur që ajo iu drejtua të birit të na fotografonte’.
Nesër te ne do të jenë edhe më shumë artistet që do të ‘flasin’ duke përdorur foton si mjet artistik, dhe kjo falë solidaritetit ndërmjet artistëve të botës, ndërmjet qytetarëve të botës, të cilët ndihmojnë me informacion e pajisje, falë edhe ëndrrës e përpjekjeve të njerëzve që bënë realitet këtë laborator të qendrës kulturore Lindart në Tiranë.
Eleni Laperi Tirana, 2003
en
Artikujt nga ky autor
- Kiço Blushi (1943-2019) : a screenwriter successful in Albanian cinema
- MEILLEURS VOEUX EN 2019 !
- Lecture-spectacle : Paroles aux Femmes, dimanche 16 décembre
- Soirée «Année Croisée» Kosovo-France, le mercredi 12 décembre
- UNESCO : une fenêtre dans l’art médiéval albanais pour le 60è anniversaire de la délégation de l’Albanie
- [...]
Tous droits réservés © 1997-2023 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 +
AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce