Albania

"Kalorësit e Stuhisë" nga Luan RAMA

Normandet, Franket dhe Shqiptarët, botuar nga Globus R., 2010

të hënën 5 korrik 2010 Nga en , E. Noygues

Po në Devollin e lashtë të quajtur dikur Deabolis, ku dy perandorë nënshkruanin Traktatin e Madh të Paqes?

Përse këto ngjarje të largëta e personazhe që vështirë t’i përcaktosh pas një mijëvjeçari, ngasin ndërgjegjen e kohës sonë?

Bizanci, Aleksi I dhe dinastia e Komnenëve, «Beteja e Beratit» e sulmet dhe rrethimet e njëpasnjëshme të Durrësit, Kaninës, Vlorës; normandë, bizantinë, anzhuinë e stema të familjeve të mëdha shqiptare me shenjat anzhuine…

 

Disa informacione të pakta i kisha nga librat e historisë, por dëshira e madhe për të zbuluar këto pikëtakime, e shtynë të hulumtojë dhe të shfletojë botime të kohëve të shkuara, dorëshkrime të vjetra e të zverdhura nga koha, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes : cilët kishin qënë protagonistët historikë ?

Si dhe në ç’mënyrë ishin pikëtakuar frankët dhe shqiptarët ?

Dhe sa më shumë kërkoja, aq më shumë habitesha në morinë e fakteve, ngjarjeve, personazheve, për Karl Topian apo Charles Topia, këtë pinjoll me gjak shqiptar dhe francez, si dhe shumë të tjerë në vazhdën e tij, Mërkur Bua Shpat, Konstantin Araniti apo Adrian Muzaka, eshtrat e të cilit mbetën në Picardie të Francës.

Jo, frankët nuk kishin qënë të largët për shqiptarët, qoftë në kohën bizantine, në Mesjetë apo dhe gjatë epokës së Rilindjes. Hija e normandëve dhe e anzhuinëve të Charles d’Anjou-së, koha e «Regnum Albaniae», apo e kryqtarëve frankë që nxitonin të merrnin brigjet e Ilirisë për të ndjekur Via Egnatia, princat shqiptarë para dhe pas rënies së Bizancit, etj, të gjitha këto kishin lënë gjurmë jo të pakta në historinë e dy popujve, e frankëve dhe shqiptarëve.

Sigurisht, për një lexues të sotëm është e vështirë të futet në atmosferën e kohës, në tërë koloritin dhe kompleksitetin e vet : betejat e mëdha detare në brigjet e Ilirisë, luftrat në bedenat e fortesave mesjetare shqiptare, rrethimi i kështjellave apo luftrat e stratiotëve shqiptarë nën flamurin e mbretërve të shumtë të Francës, përplasjet e perandorive apo dy Kishave të mëdha, Romës dhe Konstantinopojës, të gjitha këto është vështirë t’i imagjinosh me përmasat e tyre të vërteta.

Vetëm filmat historikë mund të përcjellin një lloj imazhi të përafërt për një epokë historike, që vështirë ta rrokësh në dimensionet e veta. Ja pse historia e dikurshme e Mesjetës apo e Rilindjes, është vështirë ta rikthesh, t’i japësh një jetë të dytë, ta rikrijosh, ndryshe nga koha e sotme, ku ngjarjet që ndodhin fiksohen në mënyrë të drejtpërdrejtë «in live», në imazh. Pra në një farë mënyre, bëmat historike, edhe pse reale e të dokumentuara nga kronistët e pakët dhe dorëshkrimet e vjetra historike, përsëri ato kanë vellon e misterit, të legjendës.

Shumë personazhe historike të pikëtakimeve franko-shqiptare gjatë dhjetë shekujve të fundit kanë rënë në errësirën e harresës. Historia sikur është shuar. Nëse kemi të përshkruar personazhe si Robert Guiscard, Bohemond apo Charles d’Anjou, nuk kemi përshkrime sesi ishin princat e hershëm shqiptarë si, kontët Topiajt, Muzakajt, Bua apo Gropajt, Balshajt, Shpatajt, Spanët, Jonimajt, Zakariajt, etj. E megjithatë jo pak emra, apo të tjera dëshmi të arkivave të Vatikanit, Venecies, Napolit, Francës apo të kryeqyteteve të mëdha të Evropës, na tregojnë se këto pikëtakime kanë ende çfarë të na dëshmojnë, ato dëshmojnë historinë dhe trashëgiminë, duke shërbyer njëkohësisht si piketa që i flasin të ardhmes.

Luan RAMA

Edhe lexoni te siti : Albania : rendez-vous avec Luan RAMA, vendredi 17 mai


Forum

Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 2283002

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2023 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce