Albania

Alpet shqiptare: ‘turizmi i blertë’ në lulëzim

Festivali "Logu i Bjeshkëve"

të martën 8 gusht 2017 Nga Evelyne Noygues

PNG - 602 ko

Këto ditë zhvillohet edicioni 2017 e festivalit "Logu i Bjeshkëve" ne krahinën e Kelmendit. Janë kostume mahnitëse me një bukuri të rallë dhe të hershme. Në këto kostume, çdo detaj është kryevepra siç na e kujton artistja Anila Zajmi-Katannolli që ndodhet atje.

Në krahinën madhështore të Kelmendit, në veri të Shqipërisë, fshati Lëpushë pret gjithnjë e më shumë vizitorë: shqiptarë e të huaj, të dashuruar me natyrën, sportistë të apasionuar pas ngjitjeve në mal, pas faunës e florës…madje edhe qytetarë, të joshur nga qetësia e ajri i pastër i luginës së Lëpushës.

Pikërisht atje Luigj e Lumturi Cekaj kanë ngritur një hotel, ‘Alpini’, i cili ka tanimë tre vite që pret zvicerianë, anglezë, austriakë dhe gjermanë, të cilët shkojnë për shëtitje nëpër male apo për ekspedita speleologjike… po edhe italianë, apo më të rrallë ndonjë francez, si dhe udhëtarë shqiptarë.

Luigjit i pëlqen t’u tregojë të ftuarve të tij se ai nuk do i ishte futur kurrë kësaj aventure pa ndihmën e Barbarës, një fotografe me origjinë nga Zyrihu, e cila mund të thuash me plot gojën se ka rënë në dashuri me Kelmendin e Dukagjinin…

Luigji e ndërtoi me duart e tij shtëpinë, ku banon bashkë me gruan, që ka profesionin e infermieres dhe me tre djemtë. Kati i dytë është vetëm për vizitorët.

Atje ka katër dhoma, shumë të këndshme me tavanet e tyre prej druri. Dhomat dalin në një korridor, që ka dalje te një ballkon prej druri. Luigji ka mësuar ta punojë vetë drurin. Edhe ballkoni është i mobiluar me një tavolinë e dy stola të gjatë, të gjitha të bëra nga duart e tij.

Në katin përdhes është një sallon i madh, një sallë buke dhe guzhina, ku ndjehet aroma e zjarrit me dru. Ajo është mbretëria e Lumtrisë.

Ajo gatuan gjellë karakteristike shqiptare te furrnelat e sobës me gaz apo të sobës tradicionale me dru, ndërkohë që maçoku Buki i vjen rrotull me përkëdheli.

Në katin e vizitorëve janë dy salla banje, aq të dobishme pas shëtitjeve në mal, ndërsa në katin përdhes të gjithë mund të përdorin lidhjen me internetin. Sa për telefonin celular, ju këshilloj ta lini në fund të valixhes, sepse valët telefonike nuk arrijnë deri atje ende.

 

Shtëpitë-hotele gjithnjë e më të shumta

 

Lugina e Lëpushës me gjelbërimin e saj edhe në gusht të bën të harrosh thatësirën dhe zjarret ndër pyje, të cilët po shkretojnë gjithë vendet e jug lindjes së Ballkanit. Kjo i kishte bërë përshtypje edhe një çifti të rinjsh, që erdhi po atë ditë duke kaluar nga Vermoshi, një luginë më në veri, në kufi me Malin e Zi. ‘Na u duk sikur ishim në Bavierë’, thanë.

 

Çatia e shtëpisë me muret rozë e të gjelbra, është prej druri. Në hyrje janë mbjellë lule të shumta, të të gjitha ngjyrave. Qeni Kesi është atje, gati të shoqërojë udhëtarët e rradhës. Vështrimi të shkon larg, deri te majat e masivit të Bjeshkëve të Namuna. Lugina e Lëpushës shtrihet buzë një përroi, ndanë të cilit radhiten arat e lëndinat. Shtëpitë e fshatit me çatitë e kuqe, të kujtojnë ngjyrat në paletën e një piktori...

 

Para ca vitesh, Eleni Laperi me një grup piktorësh nga Tirana kishin takuar atje Mara Smajlajn. Ajo pati veshur për ta kostumin tradicional, xhubletën, qe krehur e zbukuruar me stolitë më të vyera...

E veshur me rrobat e saj më të bukura, ajo pati pozuar për piktorët nga Tirana. Gruaja 70-vjeçare shndriste me bukurinë e saj kelmendase.

 

Rasti e solli që në vigjilje të takimit folklorik ‘Logu i Bjeshkëve’ 2012, të ishin atje bashkë tre brezat e grave të familjes Smajlaj: Mara, vajza e saj Drita dhe mbesa Alda.

Ato ditë komuna e Lëpushës priti edhe simpoziumin me temë ‘Kelmendi në shekuj’. Kishin ardhur studiues, historianë e gjuhëtarë nga Shqipëria, Kosova e deri nga Hungaria. Papa Kelmendi i shekullit te XV ishte me origjinë nga kjo krahinë...

 

Lëpusha: lugina e krijuar enkas për shëtitjet në mal

Barbara Hausammann është nismëtarja e një guide të hollësishme mbi luginën e Lëpushës (krahina e Malsisë së Madhe) dhe të Thethit (në krahinën e Dukagjinit), e botuar në gjermanisht, po dhe në shqip (nga Toena). Në guidë renditen me hollësi rruginat e shtigjet e shënjuara sipas normave ndërkombëtare të GR. Po ashtu ajo ka bashkëpunuar për përgatitjen e hartave turistike nga një shoqate italiane- VIS, të cilat i shpërndan zyra turistike e Tamarës.

Tamara është kryeqëndra e komunës së Kelmendit. Emri i saj lidhet me një legjendë të vjetër… Gruaja e vezirit të Shkodrës duke u kthyer nga Peja, qyteti i saj i lindjes në jug-lindje të Kosovës, për në qytetin ku i shoqi kishte selinë, mbeti në mes të rrugës nga një vërshim i frikshëm i lumit Cem. Që ta shpëtonte, i shoqi ndërtoi urën, e cila edhe sot mban emrin e gruas së tij të re e të bukur… Vit pas viti atje u ngrit edhe fshati me po atë emër: Tamara.

Deri sa të përfundojnë punimet në rrugën që vjen nga Shkodra, për vizitorët e huaj, të cilët duan të vijnë në Lëpushë, është më e lehtë të kalojnë nga Plava (Mali i Zi) në pikën kufitare të Vermoshit. Prej andej Hotel ‘Alpini’ i Luigj e Lumturi Cekajt nuk është më shumë se 30 minuta me makinë.

Hotel "Alpini" - Fshati Lëpushë (Komuna e Kelmendit, krahina e Malsisë së Madhe) - Tel. +382 69 45 56 03

Ky eshte linku i faqes ne Facebook, me emrin Hotel Alpini : http://www.facebook.com/#!/hotel.al...

Përkthimi dhe fotot©Eleni Laperi

Diaporama...


Portfolio

Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 780390

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2017 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce