Albania

Etleva Nallbani dhe integrimi përmes kulturës : «Forma te reja vendbanimesh në Shqipërinë e veriut, nga shek. VII në shek. XIII»

nga Luan RAMA

të premtën 24 janar 2014 Nga en

Më 17 janar, duke shkuar në Akademinë Franceze të Mbishkrimeve dhe Letrave, duke hyrë në sallonet hujerënda të akademikëve, rrethuar me tablotë dhe portretet e Volterit, Monteskiesë, Rasinit, Bualosê dhe të shumë filozofëve dhe shkencëtarëve të qytetërimeve, ndjeje një lloj krenari të ligjëshme, jo pse gjendeshe atje, ku kardinali Mazarin kishte krijuar bibliotekën e famshme të tij, apo ku Richelieu, pak më larg, kishte drejtuar Francën «jetime», por sepse një mikja jonë, një shqiptare, do të referonte në auditoret e saj për kërkimet e saj arkeologjike në Shqipëri : Etleva Nallbani.

Së pari, duke kujtuar Jean Monet dhe shprehjen e tij se «po të duhej që të fillonte dhe një herë aventurën e krijimit të Bashkimit Europian, ai do ta fillonte në rradhë të parë nga kultura», dhe jo nga ekonomia, siç e kishte filluar. Pra, pikërisht në këtë periudhë historike për shqiptarët, kur Shqipëria është në prag të integrimit të saj të plotë në Evropën e Bashkuar (ç’ka politika për dy dekada me rradhë e la jashtë saj), çështja e kulturës dhe e përfaqësimit të saj merr një rëndësi të dorës së parë. Dhe këtë rëndësi të kulturës nuk e thotë thjesht një gazetar apo shkrimtar në një gjendje entusiazmi, por një nga pionerët e parë të Evropës së Bashkuar, çka padyshim duhet të na bëjë sot t’i kthejmë më shumë sytë nga kultura, e cila përfshin brënda saj politikën, filozofinë dhe konceptet e një shoqërie demokratike.

E pikërisht, pjesmarrja e arkeologes Etleva Nallbani në një debat shkencor të nivelit të lartë evropian në zemër të Francës e të Evropës, është shprehje e asaj që forcat intelektuale shkencore, letrare e artistike, të jenë protagoniste të këtij integrimi dhe dialogu të kulturave. Etleva Nallbani ka vite që udhëton në këtë itinerar integrimi, midis Shqipërisë, Francës, Italisë, midis Ballkanit dhe Mesdheut, përmes konferencave shkencore ku ajo jep kontributet e saj. Janë vite të një pune plot ethe, shqetësime, studime të pandërprera e pasionesh, si dhe kërkime në terren, me një pjesmarrje lavdëruese në koridoret e lidhjeve kulturore të Shqipërisë me Evropën, duke qenë njëkohësisht dhe një nga kuadrot e dala nga «Ecole Française de Rome» («Shkolla Franceze e Romës»).

E padyshim, nuk mund të bëhesh lehtë personalitet i një niveli të tillë pa rezultate, studime, botime, duke u bërë njëkohësisht kërkuese në kuadrin e Qëndrës së Kërkimeve Shkencore të Francës (CNRS) apo në grupimin e studimeve mesdhetare UMR - Orient et Méditerranée. Pra, kjo krenari e imja atë ditë ishte një krenari mëse e ligjshme tek e dëgjoja në kumtesën e saj «Forma te reja vendbanimesh në Shqipërinë e veriut, nga shek. VII ne shek. XIII».

Ndërkohë që ajo fliste, mendoja për një tjetër koinçidencë midis saj dhe ish konsullit francez në Shkodër Alexandre Degrand, i cili më shumë se një shekull më parë, kishte referuar po në këtë auditor për Komanin, kohë kur pasi kishte sjellë gjetjet e tij në varrezat e Komanit, pranë Kalasë së Dalmaces, në varrezat e «malit të shenjtë» siç i cilëson ai, më pas i kishte sjellë ato gjetje në Muzeun e Antikiteteve në Saint-Germain-en-Lay. Njëqind e tridhjetë objekte, shumë prej të cilave janë të ekspozuara atje edhe sot nën emërtimin «Albanie».

Pra, sot janë studjuesit shqiptarë ata që referojnë për kulturën e tyre, ata që gërmojnë dhe japin refleksionet e tyre shkencore e historike për kohën, vendbanimet, qytetërimin, duke nxjerrë në dritë jetën historike të banorëve të këtij vendi. Kur para disa kohësh, Etleva më fliste për aventurën e saj shkencore në Koman dhe Lezhë, ndjeja tek ajo atë pasion të madh që e kishte pushtuar për kërkimet arkeologjike në veriun shqiptar në dy drejtime : për vendbanimet e gurit të Mesjetës së Hershme dhe kishat e Komanit, si dëshmi të një qytetërimi të zhvilluar, dhe së dyti, kërkimet që për herë të parë po ndërmerreshin në kështjellën e Lezhës, në Lisos-in e vjetër, çka premtonin për zbulime të reja në këtë fushë. Sigurisht, varrezat e Komanit, siç e tha Etleva në atë referim, ishin bërë të njohura më parë, qoftë dhe nga arkeologia shqiptare Hana Spahiu pas viteve 60-të, por tashmë vendbanimet e gurit, që po zbuloheshin duke ç’pyllëzuar terrenin dhe duke nxjerrë në dritë të fshehtat e historisë, premtonin një etapë të re arkeologjike jo thjesht të asaj pjerrësie mali në lartësinë e 500m, përballë varreve dhe jo larg digës së hidroçentralit, por për një interpretim të ri të historisë dhe marrëdhënieve njerëzore gjatë shekujve VII-XII.

Pra cilët ishin këta njerëz apo popullata që pikëtakoheshin në atë derdhje të gjerë të Drinit në Adriatik? Përse kjo përzjerje ilirësh të hershëm, bullgarësh apo dhe aziatikësh të ardhur deri në brigjet e Adriatikut ? Për më tepër, gërmimet e këtyre kohëve japin informacione për gjendjen e qytetërimit, marrëdhëniet ekonomike, shkëmbimet tregëtare apo gjëndjen e një shoqërie të zhvilluar, prodhimet dhe organizimin e rrjetit të shkëmbimeve ndër-rajonale të hapësirës së luginës së Drinit, në Shqiperinë veriore.

Ne kuadrin e rënies se fenomenit urban klasik, forma të reja vendbanimesh të pozicionuara kryesisht në lartesi venë në diskutim hierarkinë urbane tradicionale. Vazhdimësia e okupimit të dy vendbanimeve gjatë shekujve të parë të Mesjetës dëshmon për një ristrukturim të mëtejshëm të tyre, me një popullsi të organizuar rreth një sistemi vlerash dhe hierarkie sociale komplekse, ku autoriteti eklezial përbën referencë. Kur mendon se vetëm në kalanë e Dalmaces, në një sipërfaqe të vogël të Komanit gjendeshin katër-pesë kisha si ajo e Shën Gjergjit, e Zonjës së Mirë, e Shën Mëhillit dhe e Shën Kollit, e kupton rëndësinë e këtij kryqëzimi popullatash e qytetërimesh.

Atë pasdite, në sallën e Akademisë Franceze, akademikët ishin kureshtarë të njihnin objektivat dhe ekspeditat e arkeologjisë së re shqiptare, që siç nënvizoi akademiku i njohur Olivier Picard, numizmat i njohur dhe një korrespondent i vjetër i arkeologjisë shqiptare, “arkeologjia sot në Shqipëri po i hapte vetes perspektiva të reja larg asaj arkeologjie të dikurshme që ishte vënë në trysninë nacionaliste”. Në këtë seancë të Akademisë, interesante ishte fakti se në debat morën pjesë akademikë dhe specialistë të njohur të arkeologjisë së kësaj periudhe në kuadrin europian, ballkanik e mesdhetar, si ish drejtori i Shkollës franceze të Romës, historiani i Mesjetës dhe akademiku André Vauchez; akademikja Cecile Morisson, numizmate, drejtore e merituar kërkimesh në CNRS, Anëtare korrespondente e Akademisë) Por një përgëzim të veçantë meriton padyshim akademiku dhe arkeologu Jean-Pierre Sodini, bizantinisti dhe profesori i merituar i Universitetit Panthéon Sorbonne, Paris 1, e njëkohësisht specialisti i kërkimeve në Bilisht dhe njohës i arkeologjisë shqiptare, i cili bëri dhe introduksionin e studiueses shqiptare në këtë vend prestigjioz të arkeoklogjisë, mbishkrimeve të vjetra dhe të historisë. Entusiazmi i akademikut Sodini më shtyu të bisedoj me të mbi gjykimet e tij rreth arkeologjisë shqiptare sot dhe nevojës, siç më theksoi ai që kësaj periudhe disi të errët historike të shekujve VII-XII, arkeologia dhe shkencat e tjera duhet t‘i përgjigjen me një informacion më të gjerë, çka po ndodh dhe me kërkimet e fundit të Etleva Nallbanit.

Sigurisht, Nallbani, siç dhe e pohoi në këtë kumtesë akademike, theksoi se këto rezultate padyshim janë tepër të mbara, në kaq pak kohë gërmimesh dhe se gërmimet e mëpasme, do të japin shkas për të konfiruam katërcipërisht gjykimet e sotme për stadin e qytetërimit njerëzor të kësaj periudhe historike, por dhe për tu dhënë përgjigje pyetjeve se në cilin krah anonte përkatësia fetare e kësaj popullsie, siç e shtronte me të drejtë akademiku Vauchez, kur dihej ndarja e Kishës midis Perëndimit dhe Orientit, e ndodhur pak më parë. Duket se ky është fillimi i zbërthimit të asaj enigme të shpjeguar deri tashmë në mënyrë të tërthortë dhe që gradualisht, do të dalë në dritë me të gjithë elementët e saj historikë e socialë, enigmë që një konsull francez, sado erudit, nuk mund ta zgjidhte një shekull më parë.

Kështu, taracat e hapura sot në Koman, në ato banesa guri të nderura, apo gërmimet rreth kështjellës së Lisos-it të vjetër do të na mësojnë padyshim mbi jetën e të parëve tanë në këto troje që shkojnë gjer te ilirët e hershëm, me kusht që kërkimet të mbështeten gjerësisht dhe të mos pengohen nga interesa të ngushta biznesi, që jo rrallë i kemi ndeshur dhe në vende të tjera arkeologjike.

Etleva Nallbani më tregonte ndërkohë për një pikëtakim jo të zakontë me arkeologë shqiptarë dhe europianë pikërisht në sitin arkeologjik të Komanit, ku ende nuk ekzistojnë rrugë, por që kjo nuk e kishte penguar të ofronte kolegët e saj perëndimorë në një “sit” shqiptar. Por le të imagjinojmë një çast se ç’mund t’i sillte Shqipërisë zhvillimi i një turizmi kulturor në sitet arkeologjike, të cilat janë të shumta, por kjo nuk mund të bëhet vetëm nga arkeologët e pasionuar, por nga struktura të specializuara, të mbështetura nga shteti.

Sidoqoftë, prania e kërkuesve tanë në auditorët e shkencës dhe të kulturës në metropolet europiane, ku në rradhë të parë shquhen artistët, të mbush me entusiazëm se ky integrim është në udhë të mbarë, madje përjetohet shpirtërisht nga të gjithë ne, pavarësisht nëse kjo nuk është e tillë në sferat e ekonomisë, ligjit, etj. Por ajo padyshim i prin proçeset, aq të dëshiruara nga të gjithë shqiptarët...

Artikulli është botuar edhe te Gazeta Shqiptare nga autori


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 996487

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce