Albania

Libri "Léon Rey… dhe gurët filluan të flasin", nga Luan Rama

të premtën 15 korrik 2011 Nga en

Libri Leon Rey… dhe gurët filluan të flasin, është libri më i ri i autorit Luan Rama, i cili pas librit Kalorësit e Stuhisë, një ese për piketakimet franko-shqiptare nëpër histori dhe Doreshkrimeve të Purpurta lidhur me kodikët më të bukur të botës dhe në veçanti ata të Beratit, sjell për herë të parë një vështrim të thellë për jetën dhe kontributin e arkeologut francez Léon Rey në vitet 30’ të shekullit XX.

Sitç thotë dhe në pasthënien e këtij libri profesori francez i Antikitetit Pierre Cabane, “Léon Rey është për secilin nga ne, themeluesi i bashkëpunimit arkeologjik midis Francës e Shqipërisë… Ai duhet të mbetet i tillë dhe për gjeneratat e reja të arkeologëve, shqiptarë, francezë apo të kombësive të tjera, si një model i seriozitetit intelektual, i cilësisë shkencore, i ndershmërisë dhe i humanizmit.”

Kur e pyet autorin Luan Rama se përse iu drejtua këtij arkeologu, jetës dhe veprës së tij, çka dhe i hapi rrugën arkeologjisë shqiptare në Apolloni, bashkë me arkeologun e njohur Hasan Ceka, ai të thotë: «Pikëtakimi i parë me Apolloninë ka ndodhur vonë tek unë, atëherë kur isha një djalosh njëzetvjeçar dhe si studentë, gjatë pushimeve të verës punonim vullnetarisht për ndërtimin e stacionit të hekurudhës së re në Fier si dhe në Mbrostar, jo larg këtij qyteti.

Ky libër, i cili ndjek kërkimet e Léon Rey-it gjatë 16 viteve gërmime që ai kaloi në Shqipëri (pra gjer në kohën e pushtimit fashist më 1939), na shpalos dhe jetën intime të arkeologut, miqësinë me shqiptarët, veçanërisht me bashkëpuntorin e tij Hasan Ceka, apo kryepuntorin e tij Lluka Samarxhiu, dhe igumenin e manastirit të Pojanit, etj.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese Globus R, shoqërohet dhe me një numur të madh fotografish, (disa prej të cilave kanë pasuruar tashmë arkivin shtetëror të Shqipërisë), fotografi që ilustrojnë historitë e shumta të këtij libri, personazhet, ngjarjet dhe emocionet gjatë gërmimeve në Apolloni, botimet në revistën ALBANIA që nxorri Rey dhe që ishte një nga revistat më të mira të asaj kohe në Evropë.

 

Intervist : kur vizitoi Jean-Gabriel Rey Shqiperine me te emen, kur u vu emri i rruges "Leon Rey".

Tetë vjet pas vdekjes së Léon Rey-t, në vitin 1965, të ftuar nga qeveria shqiptare, gruaja e tij, Arlette dhe i biri Jean-Gabriel, papritur, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris, u ftuan për një vizitë në Shqipëri, me rastin e pagëzimit të një rruge me emrin "Léon Rey".

Jean-Gabriel i ruan ende të freskëta kujtimet e atyre ato ditëve kur bashkë me nënën e tij, mori rrugën në aeroportin e Orly-së drejt Tiranës me një avion të "Air France". Me një emocion të veçantë, duke kaluar mbi Adriatik, ata prisnin të shfaqeshin brigjet e Durrësit me kështjellën e vet historike, Tirana dhe Apollonia, për të cilën aq shumë kishte ëndërruar të kthehej Léon Rey.

Në aeroportin e vogël të Rinasit, ku zbritën fare pak udhëtarë, dy miqtë francezë i priti një arkeolog: ishte Skënder Anamali. Me të mbërritur në Tiranë, ata u vendosën në hotel Dajti", ku vendoseshin shpesh të gjithë të huajt, apo miqtë e ftuar të qeverisë shqiptare në atë kohë.

"Ishte e habitëshme, - kujton sot Jean-Gabriel, - sepse bulevardi që mbante emrin e Stalinit, ishte tepër i gjërë dhe në të kalonin përgjithësisht këmbësorë, dhe fare rrallë makina, ca vetura të zeza të tipit sovjetik, ku në sediljet prapa qëndronin funksionarë. Më kujtohet që në mbrëmjen e parë apo të dytë, ne shëtisnim në bulevard dhe pastaj morrëm për në thellësi të kryeqytetit, kur dy burra na u afruan dhe njëri prej tyre na tha me mirësjellje: "Zoti Rey, duhet të ktheheni në hotel. Nuk duhet të vazhdoni më tej!..."

Të nesërmen e mbërritjes së tyre, ata prisnin të shkonin për në Fier, për ceremoninë e pagëzimit të rrugës, por kjo nuk varej nga ata, pasi zyrtarët kishin vendosur tu tregonin më parë "sukseset" e Shqipërisë. Një ditë ishte vizita në Kombinatin Tekstil "Stalin"; një tjetër ditë në hidroçentralin "Karl Marks", pastaj në ekspozitën "Lenin", apo në ekspozitën fotografike të Ho Shi Minit dhe luftëtarëve vietnamezë kundër agresorëve amerikanë; dhe kështu, vizitat vazhdonin më pas në një fabrikë çorapesh, në një shkollë apo fermë.

Padyshim, atyre u bënte përshtypje pritja dhe dashuria që u tregonin shqiptarët, por gjithnjë ata prisnin ceremoninë për të cilën kishin ardhur. Jean-Gabriel nuk i harron parrullat e mëdha të vendosura në të katër anët, e sidomos një parrullë të shkruar në faqen e malit të Dajtit ku shkruhej: "Poshtë Revizionizmi". Pas një jave, më së fundi, "delegacioni" nga Franca u nis drejt Fierit, në një rrugë plot gjelbërim. Kjo ishte një kënaqësi e veçantë për ta.

Në Fier, ata morën pjesë dhe në ceremoninë që u zhvillua për përurimin e rrugës me emrin "Léon Rey". Arkeologu Selami Islami, në fjalën e tij të ceremonisë, ndër të tjera do të thoshte: "Nous sommes réunis ici, pour rendre homage à un ami de l’Albanie, au savant français, l’archéologue Léon Rey, qui pendant seize ans a mené des recherches au centre archéologique d’Apollonie. Ceux qui ont connu Léon Rey, et ont travaillé avec lui, l’evoquent toujours avec vénération, comme un savant conscienceiux et honnête, qui était venu chez nous attiré par la grande valeur des monuments que recelait ce pays en matière de recherche archéologiques et historiques. Dans les jours difficiles d’avril 1939, lorsque le fascisme italien avait occupé l’Albanie, Léon Rey éleva sa voix contre cet acte honteux. Il écrivait à cette époque : « Le 7 avril les Italiens ont tourné leurs canons sur cette édifice du musée archéologique de Vlora. Une bombe a explosé dans les salles du premier étage et plus tard les soldats ont emporté les objets. Cet attentat, accompli par un régime qui prétend restituer la civilisation en Europe et apporter dans un pays voisin les biens de ses lois a durement touché le peuple albanais et l’honneur national. Il a causé l’indignation légitime de tous ceux qui ont la possibilité de sentir et de parler librement.»

Nga libri (kapitulli : 1965, "Rruga Léon Rey")

Luan Rama : një autor proliksë

Disa vepra të autorit Luan Rama janë botuar në Francë si :
- Rruga e gjatë në tunelin e Platonit, një ese mbi artistin shqiptar në kohën totalitare që ka marrë « Cmimin evropian të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge në vitin 2001 ;
- një vëllim poetik Mbulomëni me një copëz qiell ;
- Ura midis dy brigjeve, mbi lidhjet midis Francës dhe Shqipërisë ;
- një libër mbi jetën dhe veprën e piktorit me origjinë shqiptare në Paris, Omer Kaleshi, etj.

Gjithashtu ai ka botuar dhe një sërë librash-ese në shqip si për Miteranin, De Golin, për piktorin me origjinë shqiptare Abedin Dino, për themeluesin e simbolizmit francez, arvanitasin Jean Moréas apo Jani nga Morea, mbi artistin e gjithanshëm Zhan Kokto-në (Jean Cocteau), mbi balerinën franko-amerikane Isadora Dunkan, e cila jetoi gjashtë muaj në Sarandë në vitin 1913, etj.

Lexoni edhe : Eté SOLIDAIRE : Léon REY à la recherche de "Magna urbs et gravis"


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 997952

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce