Albania

Në Tiranë : Nr. 2 te revistës Art & Trashëgimi, Gjirokastra: Qyteti i gurtë

par Ilda MARA

të dielën 20 nëntor 2011

ART & TRASHËGIMI është një botim periodik për trashëgiminë kulturore shqiptare. Tashmë është me dy numra në treg : "Berati – Qyteti i Bardhë" dhe "Gjirokastra - Qyteti i Gurtë".

Art & Trashëgimi është botim i organizatës ARGJIRO në bashkëpunim me Qëndrën e Studimeve Albanologjike.

 

Gjirokastra është magjepsëse. Ajo më mrekulloi pothuajse përnjëherë, qysh në hapat e para që bëra në rrugët e saj të kalldrëmta. Prandaj, për mua është një kënaqësi personale të kem mundësinë të shpreh admirimin tim për këtë qytet dhe të bëj thirrje për një ruajtje të plotë të tij.

Sharmi i Gjirokastrës lidhet me indiferencën e saj. Ky nuk është një qytet i atillë, sikundër as banorët e tij nuk janë njerëz të atillë që nguten të provojnë veten para teje. Çdo formë skepticizmi apo paramendimi rreth qytetit merr një përgjigje të merituar dhe të ftohtë dhe, në një mënyrë tejet elegante dhe të hirshme, të bën të vëresh se je gabuar.

Sharmi i Gjirokastrës vepron edhe përmes fantazisë. Ai është një qytet i jashtëzakonshëm në legjendaritetin e tij. Kalimtarët e rastit, poetët, artistët, historianët dhe udhëtarët kanë shkruar për këtë qytet, i cili u ngulit në mendjet e të gjithëve këtyre. Imazhin dhe përvojën tonë për Gjirokastrën e kanë pushtuar shumë rrëfime, pjesërisht të vërteta e pjesërisht të imagjinuara. Megjithatë, qyteti është edhe më i përrallshëm në brendinë e vet. Banorët e qyteti janë tregimtarë të vërtetë, madje tregimtarë mjaft të mprehtë teksa ekspozojnë hapur thjeshtësinë dhe ironinë e përvojës njerëzore. Gjirokastra dhe gjirokastritët, gjithmonë më sjellin përballë rrugët e mpleksura të realitetit dhe të mitit.

Kësaj mpleksjeje i vijnë në ndihmë sidomos fizionomia e qytetit, arkitektura e tij, radhët e shumta të shtëpive dhe gjenia e gdhendur në gurët e tyre, “Kullat” e tij, dhe tjegullat gri të çative. Por arkitektura e qytetit nuk është mitologjike; ajo është magjike dhe shume reale njëherësh. Së bashku me Beratin, në 2005, Gjirokastra u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

 

Ndryshimet e shpejta që kanë ndodhur në Shqipëri kanë vënë në rrezik trashëgiminë e saj kulturore. Është një e vërtetë e trishtueshme që kudo në botë ndryshimet e rrufeshme politike, sociale dhe ekonomike ndikojnë në uljen e vëmendjes apo deri edhe në mohimin e trashëgimisë natyrore, kulturore apo historike. Shprehja më e zakonshme në këto ditë transformimesh është ajo sipas të cilës kultura nuk të siguron ushqimin mbi tavolinë. Dhe, si rezultat, krijohet përshtypja se kultura apo trashëgimia kulturore është veprimtari elitiste, një shqetësim i pakuptueshëm dembelash që nuk kanë me se të merren tjetër.

Unë nuk bie dakord me këtë, sikurse nuk bien dakord autorët e kësaj reviste tejet të rëndësishme. Trashëgimia kulturore është udhëtimi i paraardhësve tanë, i brezave të shkuar, janë përpjekjet e tyre kreative për t’iu përshtatur mjedisit ku kanë jetuar, përpjekjet për të rregulluar marrëdhëniet mes tyre, për të mbrojtur veten, për të begatuar dhe përparuar dhe për t’u ngritur përmbi rrethanat, qofshin të natyrës apo ato të krijuara nga njeriu. Trashëgimia kulturore është dëshmia dhe shprehja e krijimit njerëzor përballë sfidave fizike dhe konceptuale.

Në këtë kontekst, trashëgimia kulturore e Europës dhe këmbëngulja e fortë e europianëve për ta ruajtur atë janë padyshim një burim i vërtetë krenarie dhe gëzimi. Edhe në Gjirokastër është kënaqësi të shikosh gjeninë me të cilën njerëzit përballen me këto sfida. Në këtë kuptim, Gjirokastra, Berati, Butrinti, dhe shumë site të tjera në Shqipëri i bashkohen natyrshëm pasurisë universale të qytetërimit të Europës dhe të botës.

Njohja e pasurive të paçmueshme të Gjirokastrës duhet të shoqërohet nga përpjekje të mëdha për ta ruajtur atë dhe për të bërë të mundur që sharmi i saj të vazhdojë të jetojë. Do të isha i gëzuar të shihja këtu po atë këmbëngulje kokëfortë, karakteristike të shumë vendeve europiane kur vjen puna tek ruajtja e trashëgimisë kulturore. Një pjesë të saj, ne e kemi përcjellë përmes ndihmesës për të ruajtur dhe rigjallëruar sitet dhe praktikat me domethënie historike dhe kulturore në Voskopojë dhe në Gjirokastër. Përgjigjet e vështira dhe të matura që paraardhësit tanë u gjetën sfidave për mbijetesën dhe për komoditetin e jetës së tyre përbëjnë mirëfilli qytetërimin. Të sakrifikosh këtë qytetërim për hir të revanit të modernizmit do të ishte mirëfilli humbje qytetërimi, dhe një humbje e njëmendët vizioni.

Ambasador Ettore F. Sequi

Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

Parathënia e Nr. 2 te revistës Art & Trashëgimi, Gjirokastra: Qyteti i gurtë

 

ART & TRASHËGIMI

Gjirokastra - Qyteti i Gurtë

- Joshja dhe misteri i qytetit të gurtë : Prof. Dr. Ardian Marashi
- Argirokastro - përtej legjendës : Prof. Dr .Luan Përzhita
- Kalaja e Gjirokastrës : Prof. Gjerak Karaiskaj
- Xhamitë e Qytetit Muze të Gjirokastrës : Prof. Aleksandër Meksi
- Rruga e Gjirokastrës drejt UNESCO-s : Engjëll Serjani
- Thesare arkeologjike nga Shqipëria : Beti Njuma
- Vepra madhore e Eqrem Çabejt- pjesë e ndërgjegjes kombëtare, shkencore e kulturore të botës shqiptare : Prof. Seit Mansaku
- E drejta për trashëgiminë kulturore është pjesë integrale e të drejtave të njeriut : Lejla Hadzic
- ARGJIRO: Një dritare për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare : Ilda Mara
- Mjaltë trashëgimie nga Gjirokastra : Gjergj Frasheri

Shërndarja në te gjitha Libraritë : Cmimi 3000 Lekë/ 25 euro

Nëse bëni abonim një vjeçar (4 numra) do të përfitoni 30% zbritje : (2 100 lekë në vend të 3000 lekë / 17,50€ në vend të 25€)

Për abonime dërgoni një email në adresën : abonime@art-trashegimi.com


Documents joints

Newsletter ne ship : Art & Trashëgimi

15 tetor 2011
Document : PDF
430.1 ko

Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 1046090

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2019 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce