Albania

Omer KALESHI - Bulevardi Arago : ekspozita 2010 në Paris

nga 19 janar deri me 3 shkurt 2010, place d’Italie

të premtën 8 janar 2010 Nga en , Luan Rama

Kokat «omerike» të jetës

Ky imazh besoj se na shfaqet nga largësitë e inkoshiencës ballkanike. Eshtë shkëputja e kokës që u jep veprave të Omer Kaleshit këtë tonalitet, i cili në vështrim të parë, të ngjan sigurisht, jo normale, por që përgënjeshtrohet menjëherë me fluksin e ngjyrave të ngrohta, që pikturën e tij e bëjnë kaq shumë të pasur dhe të pëlqyeshme.

Atëherë, ne i vështrojmë tablotë e tij dy herë, dhe herën e dytë nuk është vdekja që vjen të trokasë në xhamin e vëmëndjes sonë, por ndodh krejt e kundërta: papritmas ato pushojnë së qëni një ekspozim kokash të prera të vendosura mbi kërcunj, ku xhelati i ka ndarë nga trupat, të cilave ato u përkasin, për tu bërë pastaj, përmes hijeshisë magjike të ngjyrave kafe dhe okër dhe nuancave të së kuqes së gjallë si gjaku, fytyra medituese që po lindin nga trungjet: ato koka të prera janë të gatshme të lënë të gjallërojnë sythe delikate dhe rrënjë të fryra nga lëngu.

Kështu, «kokat» e shfaqura nga trungjet e prera në bulevardin Arago janë shpërthime të freskëta apo rilindje që vijnë nga kujtesa antike, sikur të kenë dalë papritur nga dhoma e Osiris, ku pasi kanë bredhur gjatë mijëvjeçarëve, ato rivijnë në jetë me shfaqje të reja, duke mbartur shpresa të reja.

Nga vijnë ato? Nga Iliria antike? Nga Maqedonia aleksandrine? Nga Bizanci që ra prehë në duart e Mehmet Fitimtarit? Nga haremi i Sulejmanit që këtu e quajnë «I Mrekullueshmi»?

Ndoshta ato vijnë thjeshtë nga ai apartament i vockël i mbledhur si një grusht rreth vështrimit zhbirues të Omerit, atje lart, në rrafshin e çative të bulevardit Arago, në atë kënd ku ballë flladit që vjen nga Bievre-a e mbuluar dhe e fundosur tashmë, përvijon kujtimi i asaj rruge që shkonte nga Lutece për tu pikëtakuar me Romën e Cezarëve dhe Augustëve, rruga që nga Shkupi shkonte në Vannes ose më thjesht nga Tirana në kryqëzimin e Gobelins, në «terminus»-in e asaj rradhe pemësh dhe kokash të shkëputura, por që janë përjetësisht rilindëse e plot shkëlqim nga fluksi i gjakut të tyre meditues.

Çfarë na frymëzojnë këto fytyra me sy të mbyllur veç ndjesisë këmbëngulëse të një ëndrre që do të spikasë në çastin midis dy jetëve, ku dremitja heziton midis anestezisë dhe gjysmë-ndërgjegjes, midis përfytyrimit jo real dhe vetë realitetit?

Përballë një poezie kaq të madhe, vargjet mbeten të heshtura, si të pafuqishme për të përkthyer atë që na tregohet përmes imazhit dhe në një farë mënyre atë që kuptohet. Le t’ia lëmë pra këtë përkujdesje poezisë, si dhe rrezikun për të kërkuar fjalët. Le të respektojmë heshtjen plot fjalë të këtyre fytyrave të dhëna në peshtafin e tyre të krijimit me vështrimin si të shqiponjës, të këtij vrojtuesi «faustian», ku pasioni prej elektriçisti, që nga lart atij ballkoni qiellor, heziton midis «Dhe drita ishte» dhe «Mehr Licht» («Më shumë dritë»), që kërkonte dikur poeti i rrugës Grande-rue-de-la-fosse-aux-cerfs.

Luan RAMA

Ekspozita ishte organizuar nga Jérôme Coumet, Bashkia e Parisit 13e, Philippe Moine, Këshilltar i Bashkisë së Parisit, i deleguar për Kulturën, Ambasadorët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Turqisë.

Bashkia e Parisit 13 - 1 place d’Italie 75013, PARIS.

01 44 08 13 13 - www.mairie13.paris.fr


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 997572

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce