Albania

Omer KALESHI : Fjala e “omerikëve”

nga LUAN RAMA

të merkurën 23 maj 2012 Nga en

 

Nuk është hera e parë që vepra e një piktori të gjejë ehon e vet poetike brënda një libri, një antologjie apo në frymëzime të shumta siç ndodh gjithnjë me artistët e mëdhenj. Idea e këtij botimi ka nisur me poetin, shkrimtarin dhe filozofin francez Jacques Lacarriere, i cili, i apasionuar nga tablotë e mikut të tij të hershëm, Omer Kaleshi, nga dervishët dhe barinjtë e tij, shkroi disa vite më parë 25 poezi për 25 tablo të tij.

 

 

Ishte një dialog poetik i veçantë dhe intim i poetit Jacques Lacarriere me secilën nga tablotë që ai kishte përzgjedhur, me ata dervishë, që siç shkruante ai «përjetojnë kërcimin dhe këngën e yjeve»; me ato «baresha të enigmave» apo «barinj të paqtë të stinëve në kullotat e kohës», me ato «koka që flenë në një gjumë të përjetshëm», etj.

Pikërisht në këtë vazhdë, poetë të tjerë nga Franca, Turqia, Maqedonia, Shqipëria apo Kosova, miq të poetit dhe njëkohësisht njohës të thellë të pikturës së tij, bashkuan zërat e tyre në këtë himn poetik, në këtë këngë sa të thjeshtë, dramatike apo tragjike, po aq dhe mistike e qiellore, pasi përtej xhamave të atelierit të piktorit, që është njëkohësisht dhe banesa e tij, nis hapësira qiellore, ajo galaksi ku sytë e piktorit jo rrallë meditojnë në kërkim të «kokave» të tij, atyre portreteve që vijnë nga thellësia e vetë kohës dhe që janë dhe thelbi i krijimit të tij.

Çdo poezi e këtij vëllimi është një ballafaqim i poetit me piktorin, apo me tablonë e tij, me botën pikturale të tij, me rrugëtimin e vet artistit nëpër vite dhe kërkimin e etshëm të tij artistik, apo thjesht një impresion apo ndjesi e çastit me atelierin, kavaletin apo spatulën e tij, me ngjyrën e kuqe, të bardhë, të zezë apo okër, me atë botë të çuditshme të ngërthyer nën çatinë e asaj ndërtese të vjetër në bulevardin Arago të Parisit, ku poetët shpesh janë ngjitur të admirojnë punët më të fundit të tij, apo të sodisin gjatë ato «koka» pështetur në kavaletin e tij të rëndë dhe ku boja e të cilave ende nuk është tharë.

Po, poetët janë miq intim të piktorit, të njohur në kohra të ndryshme nëpër Ballkan apo në metropolin evropian. Ata e njohin botën e tij dhe se nga vjen ky piktor, jeta e të cilit rrok pothuaj gjithë Ballkanin dhe një pjesë së dramës së tij. Ata e dinë se ky piktor nuk ka nevojë për modelin, se jeta e tij është vetë piktura, se filozofia e tij i kapërcen ndasitë e feve dhe kufijve mes popujve, se edhe pse sytë e «kokave» të tij përgjithësisht janë të mbyllura, ato përsëri shohin … Poetët e dinë se mjeshtrit e tij të hershëm janë Goya dhe Rembrandt dhe se ngjyra e përzgjedhur e tij është e kuqja, ajo e kuqe që siç shkruan poetesha franceze Laure Cambau, është si gjaku: «në sahatin e të kuqeve të tua, ti numuron ditët / sheh qiellin tënd të ardhshëm…» Dhe nëse miqtë e piktorit pyesin se nga vijnë gjithë këto «koka» në tablotë e Kaleshit, po ata, në vargjet e tyre, japin dhe përgjigje. Ai marsh kokash që na shfaqen parreshtur, në sfonde të zeza apo të bardha, në zgavra trungjesh apo shportash, si dhe «koka të nderura mbi litar», janë imazhe të një jete që mbart fragmente të historisë së dhimbëshme ballkanike, vetë «Dramën Ballkanike» që përbën dhe një nga temat e preferuara të piktorit. Ja pse dhe në një nga poezitë e tij, poeti turk Ozdemir Ince e quan mikun e tij piktor “asket i Ballkanit të këmbëzbathurve pa sandale, / ti që mbledh Pluhurin e Botës, duke iu referuar këtu njëkohësisht dhe poetit të madh sufi, Jonus Emresë, një prej poetëve të preferuar të Omer Kaleshit.

Shpesh, piktura e Omerit të ngjall menjëherë një ndjesi poetike. Ndoshta nga befasia kur poeti ndodhet përballë atyre kokave të çuditëshme, apo kur hyn në atë atelier të rrethuar nga tablotë dhe dhjetra objekte ballkanike, ku veç tyre, ato tabela elektrike plot termostatë të vjetër, i japin atelierit hijen e një kabine udhëtuese të imagjinuar veçse nga një Jules Verne. Kur nga poetesha Cambau mora pesë poezitë e para kushtuar Omer Kaleshit, mendova se ajo s’do të shkruante më për të. Por ja, sa herë ajo ngjitej në atelierin e piktorit, ndodhte që shkëndija të tjera poetike ndizeshin dhe poezi të tjera gatueshin në shpirtin e saj. Nga takimi në takim, nga një ngjitje në atelier, në një ngjitje tjetër, poezitë shtoheshin dhe jam e bindur që pas këtyre 26 poezive, të tjera do të shkruhen më vonë. Diçka e përafërt më kishte ndodhur dhe mua. Pas dy poezive që kisha shkruar para disa vitesh, një mbrëmje, duke shëtitur me Omerin në bulevardin Arago, drejt Denfert-Rochereau, ndaluam bashkë me Omerin pranë ateliereve të “Cité Fleurie”. Vëzhgonim dritaret dhe mendonim vitet para gati një shekulli kur në fillimet e tij punonte Modigliani. Ngjitur tij ishte dhe studio e Maillol… Për vite të tëra, çdo mbrëmje, Omeri kishte kaluar andej në shëtitjen e tij të mbrëmjes së vonë, duke parë me kureshtje dritat e atyre atelierëve që banorët e quanin “Cité Fleurie”. Në kthim të asaj mbrëmje të përbashkët, unë shkrova një poezi pikërisht për këtë pikëtakim mes Omerit dhe mjeshtërve të mëdhenj të dikurshëm, banorë të të njëjtit bulevard.

Ne atelierin e piktorit janë ulur pothuaj të gjithë poetët, miq të piktorit. Pranë asaj tryeze të drunjtë të punuar nga vetë duart e tij dhe rreth takisë së “bekuar” të Omerit, siç thotë duke qeshur ai. Aty kam parë mikun e tij të madh Jacques Lacarriere dhe më pas Laure Cambau, Ozdemir Ince, Gil Jouanard apo Jordan Plevneš, etj… Po kështu, është interesante nganjëherë që figurat apo metaforat e poetëve pikëtakohen kur flasin për tablotë e Omerit. Kështu ndodh p.sh. me poetin turk Ozdemir Ince dhe atë maqedonas Kletnikov. Për ta, tabloja që ngjiz Omeri është një lloj buke e veçantë. “Bukë e shenjtë” – shkruan Ince. Omeri gatuan pra një lloj buke të rrallë. Eshtë “arti-bukë”, si një ushqim shpirtëror i klasit të parë. Kur poeti Petraq Risto më dërgoi dy poezitë që i kishte kushtuar Omerit, njëra prej tyre titullohej I verbëri i Omerit. Kur ia tregova Omerit, ai u habit. “Vallë e ka parë tablonë time I verbëri? - më pyeti ai… Vite më parë, poetesha Mimoza Ahmeti kishte qënë në Paris dhe një mbrëmje ishte ngjitur në atelierin e artistit për të parë tablotë e tij. Në Tiranë, disa kohë pasi ishte larguar nga Parisi, mes të tjerash ajo kishte shkruar: “Po kthehesha nga studjoja-banesë / e Omer Kaleshit, / edhe tani siluetën e tij dua në vend të tij: / s’më kish bërë vaki t’i dashuroj njeriu / siluetën, ndërsa vetë të zotin ta shoh / si mbushje të saj…“

Për vetë individualitetin e tij, për veçantinë që ka si piktor në pikturën ballkanike dhe atë çka ai sjell në pikturën evropiane, vepra e tij me imazhet e fushave të largëta të Anadollit, kodrinave të Kërçovës në Maqedoni apo malet e veriut shqiptar, është kthyer njëkohësisht dhe në një ngasje poetike, ku ngjizet fjala dhe imazhi, ngjyra dhe elokuenca e formës, dhe ku gjithnjë, brënda pikturës së tij, është njeriu, bota, historia dhe drama e tij, ngazëllimi i jetës dhe kujtimi i trishtë i një lufte absurde; është vetë artisti, me përjetimin e tij nga fëmijëria në moshën e thyer të tij, është krijuesi i palodhur, ky murg i pikturës, që siç shkruan poeti i njohur Kletnikov, «grabit prushin e qiellit inkandeshent / si për të pjekur bukën e tij / në të bardhën e telajos»… Po, «buka e përditshme» e Omer Kaleshit, gatuhet në flakën e të kuqes, ngjyrës së zgjedhur të tij, në të purpurën e vet gjakut njerëzor.

Në ekspozitën e janarit të vitit 2010, një nga ekspozitat më të mëdha të Omerit deri më sot, në sallonin e „anti-chambre“, në qëndër, binte në sy një tablo e serisë së tij „koka në shporta“: një kokë në profil me një sy vigjilent. Ishte autoportreti i vet Omerit. Të ngjante kështu se në atë mori kokash që kishin mbushur sallonet, Omeri vigjëlonte mbi kokat e shfaqura nëpër tablo si një bari që vigjëlon mbi trupën e tij. Dukej për një çast se ato koka blegtorësh, vajzash fshatare, dervishësh, ato portrete të fushave të Ballkanit, kishin ndjekur bariun e tyre të përjetshëm, kishin zbritur nga avenu Arago në Place de Gobelins dhe që andej kishin marrë përpjetë drejt dyrve të bashkisë në Place d’Italie.

Pesëmbëdhjetë poetë nga vënde të ndryshme të Evropës e nderojnë sot me gjuhën dhe kumtin e tyre poetik veprën e këtij artisti, atdheu i të cilit mbetet gjithnjë arti, duke bashkuar këtu në fund dhe tri ese të shkrimtarit Gil Jouanard, mik i piktorit. Tablo dhe frymëzime poetike. Dhe çuditërisht, edhe fjalët e tyre marrin diçka nga e purpura e tij…

Luan RAMA

Libër i botuar tashmë në tri gjuhë: versioni në gjuhën shqipe, në gjuhën maqedonishte dhe në gjuhën frënge. Një version në gjuhën turke është në përgatitje e sipër. Kopertinat nga Artur Muharremi. Tekstet nga shqip në frëngjisht janë përkthyer nga Solange d’Angély dhe Luan Rama.

EXTRAKT

„Në të gjitha këto fytyra ka një trakjektore drite e hiresh, analoge me atë të kometave, një trajektore që njëri pas tjetrit i largon dhe i afron me ne. Sikur rradhazi ato të bëhen një model i yni apo një karikaturë e vetes sonë. Sikur të ishin vëllezër të një gjaku apo vëllezër të një fati. Ja pse është e pamundur të përcaktosh origjinën dhe natyrën e këtyre figurave vetëm në kontekstin e tyre gjeografik. Në fakt ata kanë dalë më vete dhe na transmetojnë të gjitha stadet e rrugëtimit të tyre : atë anadollas, ballkanik, europian e planetar. Çdokush nga këta barinj e dervishë është imazhi i vetvetes përmes dukjes dhe vizatimit të fytyrave tona, është imazhi i nga përkatësisë së tij.“

Jacques Lacarrière

«Hyni në këtë libër ashtu siç hyhet në një tempull ku gjithçka është e shenjtë dhe i kushtohet një shpirti shumë të pasur artistikisht dhe me ndjenja humane. Ky shpirti madh quhet Omer Kaleshi. Gjithçka te ai është e paqtë, plot dritë dhe me thellësi, siç janë dhe jeta e arti i këtij njeriu »

Eftim Kletnikov

«Omeri nuk është thjesht një piktor, as thjeshtë një qënie njerëzore, bashkëkohëse: ai është i gjithkohshëm, ashtu siç janë gjithë artistët e vërtetë: të rrënjosur në statusin e tyre të fshehtë e nomad, të qytetarit të universit, siç ishin dhe njerëzit tanë të të shquar, ata që shqetësoheshin mbi realitetin që i rrethonte këtu e njëzet, apo dyzet mijë vjet më parë, duke kërkuar që të dilnin nga fataliteti i përditshëm për të pyetur rreth misterit ndaj të cilit njëherësh jemi dhe pjellë të tij dhe pasues, trashëgimtarë.»

Gil Jouanard

«Një mbrëmje të pranëverës së vitit 1994, në një galeri pariziane të «bregut të majtë» të Seine-s, pashë 12 koka anonime ballkanike të pikturuara nga Omer Kaleshi dhe i ndjeva ato jashtëzakonisht të afërta me mua. Përse një ndjesi e tillë ?

Ishte një ndjenjë territoriale: ashtu si dhe unë, Omeri ka lindur në Maqedoni. Fshati i tij i lindjes Serbica, ndahet nga fshati im Sloishtica nga Lumi i Zi, i cili me emrin Erigon, shfaqen në mos te Homeri, te Tit Livi dhe autorët e tjerë antikë – romanë, bizantinë, otomanë, evropianë - në shënime udhëtimi. Por ka dhe një arësye tjetër, kësaj rradhe metafizike: kokat e Omer Kaleshit kanë zbuluar fushën e fshehtë të kujtimeve të mia trans-historike…»

Jordan Plevnes

Laure Cambau (France)

Atelieri

Poltroni vështron krahun e djathtë që del nga çatia dhe që kërkon një monedhë për t’u ushqyer një këmbë e majtë mbathur me çorape zgjatet që të largohet pa u ftohur duke ikur akoma më shpejt kolltuku vështron përballë një çorape dhuratë e një dashurie për të ndezur dy barinjtë e rinj Poltroni u ka kthyer shpinën «surrateve» ndoshta për t’i dëgjuar më mirë ti vështron kavaletin verbohesh me fytyrën pa gjak të Gjon Pagëzorit ëngjëjt mbrojtës kanë ikur me Krishtin luajnë letra duke pirë raki dhe retë mbushen me koka nuk ka asnjeri as rrugë as njerëz as porta as makina ti jeton i fshehur në një sfond pëlhure në një qiell kokash gri që të flasin për zinkun përballë ti jeton i fshehur në një sfond pëlhure duke marrë frymë ajrin e kokave blu nga toka nuk njeh veç pluhurin e shtigjeve fshatare veç kupolën e Panteonit pranë veç hirin ende të ngrohtë të shtallës e pastaj nganjëherë ti nënshkruan me bishtin e penelit me botën tënde përmbys parë nga lart.

Özdemir Ince (Turquie)

XII.

Fytyra fshatarësh në aromën e një llampe karburi!

Omer, si ushqehesh kaq shumë nga fjala e njerëzve?

Nuk mund ta dimë nëse kemi uri apo jo. Por vështro mirë sytë e tyre dhe ti do e kuptosh.

Sigurisht, duke vështruar ti i kupton.

Omer, si i duron ti vështrimet e tyre? Mos iu afro shumë se do të digjesh dhe ne bashkë me ty.

Poet i sazit, Omer bardi, ti, asket i Ballkanit të këmbëzbathurve pa sandale,

ti që mbledh Pluhurin e Botës.

Petraq Risto (Albanie)

I verbëri i Omerit

I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të. Duket që drita e ikur nga sytë ka shkuar të bujt në ngjyra dhe zë të bujt në ngjyra dhe zë. I verbëri vërtitet s’ka trup, s’ka bastun: kështu ndodh veç me planetet Drita e të verbërit është kthyer në shkrumb, po ëndrra e të verbërit ka dritë amanetesh. I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të.

I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të. I verbëri i Omerit vjen nga hamamet: s’i sheh nudot mes avujve S’sheh kokën e Gjon Pagëzorit në shportën e Salomesë I verbëri i Omerit ka mbledhur gjithë dritën e ballkanasve Në Tregun e Historisë ka dalë të shesë... I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të.

I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të. I verbëri i Omerit kthen dritën në qelq, me qelqe bën figurina: Nudon Marie: flakëzë vatre që loz kur vdes nëpër ngjyra Parisin e plakur me brinjët e udhëve ku rreh zemra e Luvrit Bosforin e ndezur: kurth profetik ndërtuar me mijëra penela... I verbëri i Omerit nuk është Homeri po diçka homerike ka në të.

Eftim Kletnikov (Maqedoni)

Omer Kaleshi pikturon

1.

Omer Kaleshi pikturon Parakoha shtrohet në paletën e tij. Aty ai kërkon ngjyrat aty ngjyen spatulën e tij duke grabitur prushin e qiellit inkandeshent si për të pjekur bukën e tij në të bardhën e telajos.


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 109050

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2013 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce