Albania

POEZIA NË SHQIPËRI (1990-2006)

të hënën 25 maj 2009

POPULLARITET DHE ELITIZËM [1]

Për të pasur një ide sa më të kapshme lidhur me zhvillimet aktuale të poezisë brenda territorit të Shqipërisë, prezantimi mund të paraqitet i thjeshtuar në tri kategori.

Kategoria e parë përmbledh poetët e dënuar nga diktatura, të cilët qenë nismëtarët e përtëritjes letrare dhe patën menjëherë dishepujt e ndjekësit e vet. Ata shkruan kundër rrymës, ndërkohë që botimi i tyre përbën në vetvete një odise të një lloji të veçantë, meqenëse u bë i mundur vetëm pas vitit 1991. Disa syresh, si Zef Zorba, Primo Shllaku e Drita Çomo, kanë shkruar që në moshë të re por fshehurazi, pa u përpjekur anjëherë që t’i bëjnë publike krijimet e tyre. Të tjerëve, si Kasem Trebeshina, Visar Zhiti e Frederik Rreshpja, u është ndaluar botimi mbas burgosjes. Kurse Trifon Xhagjika bën pjesë ndër ata poetë të cilët u pushkatuan, mbasi patën provuar më përpara vuajtjet e papërshkrueshme të burgut : në sallën e gjyqit që e dënoi me pushkatim, në pamundësi të mbrohej me avokat, ai recitoi poezinë Atdheu lakuriq. Fat më të mirë patën natyrisht Arshi Pipa, Isuf Luzaj e Martin Camaj, të cilët mundët të arratiseshin nga Shqipëria dhe arritën të bëjnë emër dhe të botohen në vendet mikpritëse. Tek flasim për këta poetë, në shenjë respekti për vuajtjet e tyre do të duhej të jepnim shumë më tepër emra dhe fakte themelore të biografive vetiake, që ndriçojnë aspekte të tëra të historisë së re të vendit. Por poezia e tyre është përgjithësisht e vetëmjaftueshme dhe ne po e anashkalojmë këtë detyrim, meqenëse ajo na flet pa pasur nevojë të dimë se kush fshihet mbrapa. Këta poetë përbëjnë atë që mund ta quajmë « letërsia e nëndheshme », një letërsi që është shkruar në të njëjtën kohë dhe paralelisht me letërsinë zyrtare, por pa mbërritur dot në kohë reale tek publiku i saj. Për të qenë të qartë me termat, vërejmë se këtu nuk bëhet fjalë për një poezi të disidencës në kuptimin ngushtësisht teorik të fjalës dhe sipas modelit të disidencës ruse : në Shqipëri, botimi i një vepre disidente ishte gjë e pakonceptueshme, për vetë shtypjen e egër dhe sundimin unik të Partisë-shtet. Përndryshe, mund të flitet për disidencë estetike, e cila paraqitet si një mënyrë të shkruari krejt e kundërt me gjithçka që botohej në Shqipëri. Shembulli më brilant është Martin Camaj, poet i kalibrit më të lartë evropian po aq sa edhe një romancier elitar, të cilit letërsia e re shqipe i detyrohet më së shumti.

Kategoria e dytë përmbledh poetët e rinj, impakti i të cilëve në letërsi nis të ndihet nga viti 1993. Sot, këta poetë paraqiten si vektori kryesor i përtëritjes poetike dhe letrare. Krahasuar me poetët e kundër-rrymës, ata përbëjnë rrymën e re të poezisë shqipe. Ardhja e kësaj fryme të re në letërsinë shqipe u parapri nga Gjekë Marinaj, një poet i ri njëzet e pesë vjeçar nga Veriu i Shqipërisë, i cili në gusht 1990, vetëm pak ditë para se shqiptarët të sulmonin ambasadat e huaja, mundi të botojë në të vetmen gazetë letrare të kohës, Drita, një poezi me titull Kuajt : bashkatdhetarët e nënshtruar poeti i krahasonte me kuajt, këto krijesa që i binden qorrazi të zotit. Por bashkëkohësi që ka ndikuar më shumë tek brezi i ri i poetëve, është një poete : Mimoza Ahmeti. Falë shpirtit të saj ekscentrik dhe rebel, qysh në krye të viteve tetëdhjetë ajo qe distancuar bindshëm nga klishetë soc-realiste. Zgjatimi i saj mashkullor, Ervin Hatibi, i cili bëri emër mjaft herët si poet i parakoshëm, vazhdon të hulumtojë pak a shumë asaj rruge. Nisi të afirmohej pastaj, në fund të viteve nëntëdhjetë dhe në të njëjtën hulli, një tjetër poete që nuk u druhet fjalëve, Rita Petro, e cila paraqitet interesante sidomos në shmangien plotësisht të autocensurës, duke glorifikuar dëshirën femërore në vargje ngacmues dhe origjinalë. Poete të tjera, si Ledia Dushi, Lindita Arapi e Brikena Smajli, e prekin lexuesin me ndjeshmërinë e tyre autentike, që duket se buron nga vetmia e hijshme e femrës që rreh ta gjejë veten në një shoqëri frojdisht mashkullore. Ndërsa emra të tillë si Arjan Leka, Stefan Çapaliku e Agron Tufa bëjnë pjesë ndër të paktën dhjetë emrat më të njohur të brezit të poetëve të rinj. Tashmë të afirmuar dhe mjaft aktivë, këta shpërblehen rregullisht me çmime : janë drejtues revistash ose universitarë të kualifikuar, njohës të shkëlqyer gjuhësh të mëdha dhe bartës, në letrat shqipe, të realizimeve estetike e letrare moderne. Këta deri më sot nuk përbëjnë grupim as shkollë letrare më vete, por kanë të përbashkët kërkimin dhe promovimin e një elitizmi të ri në poezi e në art, si edhe moshën letrare, që përkon me hapjen e shtëpive botuese private në Shqipëri. Duke përmendur vetëm këta pak emra, prej të cilëve kemi nxjerrë konkretisht përkthimet për këtë mbrëmje poetike, jemi të vetëdijshëm se po i bëjmë një padrejtësi të madhe poezisë së këtij brezi, i cili në kohën kur po flasim numëron paksëpaku tridhjetë poetë të nivelit të lartë, mes të cilëve Gazmend Krasniqi, Gentian Çoçoli, Parid Teferiçi, Gezim Hajdari, Sokol Zeka apo Dhimitër Pojanaku, të aftë për të lënë në hije ata që sot po lakohen më së shumti në faqet e shtypit shqiptar dhe të antologjive të përkthyera.

Kategoria e tretë përmbledh poetët e dikurshëm zyrtarë që vazhdojnë të shkruajnë, në të mirë të tyre dhe tonën. Përballë kundër-rrymës disidente dhe drejtimit të ri modern, këta përfaqësojnë sot në poezinë shqipe një drejtim që po vetëpërtërihet. Të ardhur drejt nga brezat e viteve ’60 dhe ’80, të gjithë këta poetë qenë orvatur ta nënshkruanin hyrjen e tyre në letërsi me një vullnet të ndrydhur për ndryshim, para se të binin në grackën e propagandës dhe të zbytheshin, për t’u nisur rishmas mbasi kushtet e lojës ndërruan. Në këtë kuptim, në përpjekjen e tyre për t’iu përshtatur klimës së re letrare e për të vazhduar me çdo çmim në rrugën e poezisë së vërtetë, këta u bënë bartës të qëndrueshmërisë dhe të drejtpeshimit në kuadër të letërsisë shqipe bashkëkohëse. Sadoqë shpesh i tregojnë me gisht dhe u kujtojnë makëtin e kaluar, prurja e tyre e sotme është e çmueshme. Aq më tepër se ata kanë arritur ta ruajnë ritmin e botimeve, por edhe lexuesin e tyre më besnik. Meqenëse nuk patën mundësi të përfitojnë një formim letrar të përshtatshëm në kohën e komunizmit, këta mbështeten në përvojën vetiake në fushë të poezisë, si edhe në një intuitë që i ka dhënë provat. Një intuitë që përndryshe i ka orientuar pikërisht në kahun e kundërt të asaj çka kishin ndërtuar : si rregull, optimizmi i dikurshëm, diskursi glorifikues, deklamativ dhe patetik, tek këta poetë ia ka lëshuar vendin zhgënjimit, pezmit herë të përmbajtur e më shpesh të hidhët, dhe njëfarë « pesimizmi të qëndresës » të artikuluar në një dyshim të përgjithësuar ndaj e kundër gjithçkaje. Një pjesë e madhe poetësh nga radhët e këtyre dy brezave tashmë janë konvertuar në gazetarë, kurse të tjerë vazhdojnë aktivitet paralel studimor – si Moikom Zeqo e Anton Papleka, botues – si Bardhyl Londo e Virgjil Muçi, diplomatik – si Rudolf Marku e Besnik Mustafaj, i janë përkushtuar betejës politike si Dritëro Agolli e Preç Zogaj, ose jetojnë të tërhequr dhe të mbyllur në një vetmi kryeneçe, si Ndoc Gjetja e Fatos Arapi.

Krahasuar me çfarë ka qenë poezia shqipe para vetëm pesëmbëdhjetë vjetësh, falë përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë poetëve pejsazhi poetik në Shqipëri paraqitet rrënjësisht i ndryshëm dhe i përtërirë. Bashkë me këta, një popull i tërë po rizbulon kënaqësinë e të lexuarit dhe të shkruarit, kënaqësi të cilën sot jemi mbledhur që ta ndajmë për pak çaste së bashku.

[1] Kjo është pjesa përmbyllëse e materialit të prezantuar më 14 shkurt 2005 nga Ardian Marashi, mjeshter konferencash në l’INALCO, me ftesë të Miqve Albanofonë dhe të Qendres së Studimeve Ballkanike.


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 1046090

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2019 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce