Albania

Përkthyesja Mimoza Hysa nderohet me Çmimin Kombëtar për Përkthimin në Itali

të premtën 27 mars 2015 Nga en

Çmimi Kombëtar për Përkthimin, i themeluar në vitin 1989, jepet nga Ministria italiane për Pasuritë dhe Veprimtaritë Kulturore dhe Turizmi, me patronazhin e lartë të Presidentit të Republikës italiane, vitet e fundit është pritur me një interes në rritje të publikut, por edhe të specialistëve të sektorit të botimit.

Drejtoria e Përgjithshme e bibliotekave dhe instituteve të kulturës pranë MPVT-së, pasi kishte mbledhur të gjitha kërkesat e mbërritura nga botuesit, përkthyesit dhe publiku, i cili edhe këtë vit mori pjesë konsiderueshëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve, i dedikoi një hapësire më të gjerë tematikave të përkthimit ndërgjuhësor.

Ceremonia e këtij viti, e cila u zhvillua në sallën prestigjioze të Bibliotekës kombëtare, u artikulua në dy sesione.

Gjatë sesionit të parë e morën fjalën Drejtori i Kabinetit të Ministrit italian për Pasuritë dhe Veprimtaritë Kulturore dhe Turizmin, Prof. Giampaolo D’Andrea, Drejtorja e Përgjithshme e bibliotekave dhe instituteve të kulturës, zj. Rossana Rummo, një nga përkthyesit dhe profesorët universitarë më të shquar italianë, Franco Buffoni, i cili ka përkthyer nga anglishtja Keats, Byron, Fergusson, Kipling, Wilde, Yeats etj., si edhe personalitete të tjera të fushës, me famë ndërkombëtare, të cilët u fokusuan në thellimin e argumenteve më të rëndësishëm të veprimtarisë së përkthimit dhe të sektorit të botimit që ka të bëjë me të.

Në diskutimet e tyre, këto personalitete paraqitën reflektime mbi punën e përkthyesit, ndjeshmërinë e rrallë artistike dhe letrare që i karakterizon ato, shprehjet gjuhësore të papërshkrueshme që vështirë mund të përkthehen. Falë kësaj disipline të vështirë – u vu në dukje – mësojmë të zbulojmë kultura të largëta, por edhe aspekte të panjohura të kulturave të ngjashme. Evropa Lindore, Lindja e afërt, Azia, bota latino-amerikane tregohen përmes përpjekjeve të përkthyesve dhe atyre që përhapin tradita, mendime e kultura.

E veçanta e kësaj ceremonie ishte se një çmim kombëtar i jepej për herë të parë një përkthyeseje shqiptare, zonjës Mimoza Hysa, me motivacionin: “Puna e Mimoza Hysës ka bërë të mundur njohjen në Shqipëri të veprave të Maria Conti, Dino Buzzati, Margaret Mazzantini, Alberto Bevilaqua dhe shkrimtarëve të tjerë italianë të viteve ‘900”. Në momentin emocionues të marrjes së këtij çmimi, Mimoza, përmes një përshkrimi të rrugëtimit të saj 35-vjeçar të njohjes, studimit dhe kultivimit të përkthimit nga italishtja, që nga koha e regjimit komunist e deri më sot, ia dedikoi këtë çmim mësuesve dhe babait të saj, i cili kishte ndërruar jetë pikërisht 35 vjet më parë.

Për Ambasadën shqiptare, prania e të cilës u përshëndet disa herë gjatë ceremonisë, dhënia e këtij çmimi ishte motiv krenarie e veçantë, sepse një çmim i tillë, kombëtar, i dhënë kryesisht për përkthimin në gjuhën italiane, i kishte kapërcyer kufijtë për të arritur vetëm në Shqipërinë e afërt dhe në Izrael, ku çmimi iu dha Carmel Publishing House, e cila kishte botuar “Komedinë Hyjnore” në hebraisht.


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 996571

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce