Albania

Përmes vargut poetik të Sadije Alitit : një rrëmbim i ankthshëm në kthetrat e ëmbëlsisë së jetës

Adem XHELADINI

të martën 5 gusht 2014 Nga en

Këto ditë shumëkujt nga ne i rastisi t’i bie në dorë përmbledhja me poezi e poetes nga rrëzë Sharri, Sadije Aliti, e cila jorastësisht mban për vulë titullin “A do t’më falësh nënë”.

Në të kundruar vargut të poetes së mirënjëhur ndesh në shpalosje ndjenjash, krenari, identitet, qëndresë dhe sëfundi në gjithë atë që quhet lufta për jetën, dmth., përpjekja për ta arritur kulmin e së bukurës. Stili i veçantë i autores herë-herë të lë pa frymë, e herë-herë të shpie në botën e përtejimagjinatës, të magjisë së quajtur dëshirë e përflakur në ndjenja paskaj; qoftë përditshmërisë qoftë Atdhe-Dashurisë njëkohësh.

Nga këndvështrimi i kompozicionit në ato vargje gjejmë të ndërtuara me një pasion të veçantë të gjitha figurat letrare, përshkruar me dell prej narratori të vërtetë.

Tre ciklet që ngërthejnë shtrojën e vargut shfaqen në opus ditaresh që autorja ka ditur t’i vë në spikamë. Ditari i At’Dheut, ditari i fjalës dhe sëfundi ditari i dashurisë, shpalosin madje, gjithë një botë që zien përbrenda përplot zjarr e ngaherë edhe shpërthim të hovshëm në horizontin e dëshirës së përflakur e nganjëherë të ndrydhur.

Megjithatë autorja e vargjeve, s’rri dot në pranga, ajo e rritur, e kalitur në rrëzësharrin e përvuajtjeve të mëdha gjatë kohës, di të shpërthejë dhe ta shpalosë troç gjithë atë që ndjen, qoftë në rrafshin emocional qoftë në atë racional.

Një kërkesë e brendshme

Tek poezia e parë e përmbledhjes, që mban njëkohësisht edhe titullin e përmbledhjes “A do t’më falësh nënë”, autorja duket se përmes figurës së “NËNËS”, e cila është edhe kryetema e gjithë përmbledhjes, e gjejmë të shtruar dhe të shpalosur gjithë një biografi të qenies së autores në çaste të rrëmbimit nga instinkti amënor.

Vargu fundekrye na shfaq këtë rrafsh ideoemocional dhe na shfaqet si refleksion me përmasa përkushtuese : “kur duhej të të dhuroja buzëqeshje, të dhurova vetëm dhimbje..., kur duhej të të puthja duart, ikja larg e larg..., a do t’më falësh nënë [...]”. Gjithë kjo përthyerje instinktesh, ndjenjash e dashurie pafund njëherësh ngërthehet e sëfundi shpërthen me kërkesën sublime të kërkim-faljes “pranoj se nëna është vetëm një, që çdoherë e fal atë që lindi, atë që i dha dritë, e jetë në këtë botë; a do t’më falësh nënë, për jetë të jetëve[...]”.

Mëtej duke synuar të gjejmë botën e brendshme të përmbledhjes vijmë pahetueshëm tek poezia ”kuvendim bjeshke” të ngërthyera vargjet ”mos u përul o lule bjeshke, për ujkun e maleve...”, ku instinkti shpie në vetëmbrojtje “ik nga unë sa më parë, ik andej nga erdhe; le të vazhdojnë kuvendimin bjeshka me bjeshkën, aty ku e lanë ditë më parë...” Mëtej tablloja e kohës na shfaqet me gjithë zymtësinë, aty gjejmë të ngjeshur një kronikë të tërë ngjarjesh, gjithë pambarimësinë e tyre : “ sa gjatë heshti ajo kohë; ndodhën e ç’ndodhën; të shkruara e të pashkruara; herë erdhi e herë shkoi; nuk dashuroi po me shumë vuajti; sy të bukur ku shihej vetëm dhembja, nuk besoi në të panjohurën; mbeti mbretëreshë me sy të trishtuar...”, për ta vazhduar mëtej të sotmen “ si parajsë e së mirës” dhe personifikuar e kodifikuar të nesërmen “një mur të lartë kinez”.

Gjeografia e Sharrit e Dukagjinit

Rrapërllima e ngjarjeve në gjeografinë e Sharrit e Dukagjinit a gjetiu ku zbardh plisi i bortë, do ta prekë në dell autoren e vargjeve dhe kronika e saj do të rrëfejë”brenga ngjarjesh në asfaltin kufitar, karvanë dhimbjeje e malli, pjesën e lënë të tokës mëmë, ndjenjën e bardhë të njerëzve që vdesin dëshmorë ndër shekuj në rrugën e nderit për pranvera të pavdekshme në sirtarët e historisë së dhembjes tragjike.

Shumanshmëria e vargut të autores nuk mbetet pa u vërejtur edhe kur ajo shfaq pikëpamjet mbi trashigiminë ku ”misioni i artit që kënga të jetë poezi e të sjellë porosi, ka mekur dikund nëpër sirtaret e odave të burrave e të dasmave“ siç bëheshin dikur moti, ku e pavlershmja ; e huaja ka ngritur krye e po merr hov dhe ngulfat atë me vrazhdësi marramendëse, ku poetes i shkakton neveri të paparë e brengë të pashërueshme njëherësh, meqë “paria ndodhet në gosti, por jo në gostitjen e qytetit”.

Aspekti i të qenurit larg nga vendi ku të bie kryet së parmi në jetë na del qartas i skicuar tek poezia “Lajmëtarja e stinës” ku autorja përmes bashkëbisedës me dallëndyshet dhe pritje-përcjelljet e tyre për veri-jug, po shpreh nostalgjinë dhe mallin e pashuar, dhe hidhërimin njëkohësh meqë ”asnjëra nuk solli gëzimin e ri”, ndonëse çerdhja e saj ruhet ende ”skaj strehës së shtëpisë”, bashkë me çerdhen e pasardhësve që kurrë s’u venit në ëndrrat e lajmëtarit të stinës.

“A do t’më falësh nënë”

Dhe si çdo poet që di më së miri t’i këndojë dashurisë, tema e rrahur në përmbledhje na ngjan të duket më e ngjeshur tek vargjet “lojë deti”, ku autorja e sublimon aq kumbueshmëm me vargjet ”tani kur ti hape dritare, erdhe e flake në lojë deti; si të bëj vallë; rrugëtim apo pritje, në udhëkryq me valën e detit”, ku dëshira për një dashuri maji iku e u zëvendësua me ndjenjën e interesit dhe në fletën e mendimeve mbeti personazhi-hije si grabitës i përvëlimeve ndërkohë që në ditë vjeshte, “korniza e miqësisë mbeti vetëm kornizë në një ditë vjeshte”, meqë kishte hyrë në jetën e tjetërkujt.

Me një fjalë tre tabllot e përjetimit artistik, shfaqen të ngjeshura me dell dhe të brumosura me armën e fuqishme gjuhësore, me ndjenjën e fuqishme të krenarisë e të dashurisë në të njëjtën vijë, ku pahetueshëm rrugëtojnë për të nxjerrë në sipar përkushtimin, mallin, jetën dhe dëshirën e flaktë e të pashmangshme për ta jetuar atë në kthinat e qeta të Atdheut, ku gjithçka do të farkohet në njomësinë e livadheve buzë Sharri, me kthjelltësinë e gurrave e shkurrave e bardhësinë njëherësh.

S’domend se “A do t’më falësh nënë” vjen si varg i pashkëputshëm në kujtimin e fjalëve të heshtura të kohës blu. Padyshim se përmbledhjet e këtilla, pos që vijnë si kumt vetërrëfyes janë dhe nxitëse për hapërimin e guximshëm drejt shtegut që quhet poezi, në veçanti të shpërthimit të botës emocionale sidomos të krijueses femër, që në rrafshin diakronik na del e ndrydhur nga vrragët e kohës. Aq më shumë këto vargje shfaqen edhe si një kërkesë e brendshme për ta marrë hisen e saj në hapësirat që quhen jetë, që quhen përditshmëri dhe të vijnë si trokëllimë në derën e konakut të së bukurës. Dosdo, ky shpërthim mëton të thyejë barrierat e vëna për të sfiduar një botë të qenies së bukur dhe ta nxjerrë atë nga lëvozhga, ku padrejtësisht ia kanë paragjykuar vendin.

Adem XHELADINI është shkrimtar, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni. Për më shume informacion, klikoni këtu


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 996571

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce