Albania

Ribotim në Tiranë i librit "ENIGMA… e zgjidhur" e Robert d’Angély

të martën 11 tetor 2011 Nga en , Solange d’Angely

Këto kohë është botuar në Tiranë në gjuhën frënge libri i Robert d’Angély "ENIGMA… e zgjidhur" nga Shtëpia Botuese «Globus R», një homazh i Solange d’Angély për atin e saj. Ky libër përmbledh të pesë vëllimet që më parë ishin botuar në Paris në vitet 1990-1991, vëllime këto që tashmë nuk gjënden në librari. Kurse "Gramatika e krahasuar shkipe" (vëllimet 6 dhe 7) botuar në Paris në vitin 1998, janë thelbi i vertetë e veprës së këtij autori.

Mund t’a ndjekni edhe ne Internet : http://www.top-channel.tv/video.php...

Robert d’Angély, lindur dhe vdekur në Paris (1893-1966), e ka kaluar rininë e tij mes francezëve, shqiptarëve, grekëve, turqve, etj, në kohën kur në Stamboll kreu studimet në Liceun Francez «Saint Benoît» dhe në «Grande Ecole Grecque du Patriarcat Œcuménique orthodoxe du Phanar», e më pas në «Universitetin filologjik të Athinës» duke studjuar autorët e mëdhenj klasikë grekë e latinë, të cilët ai i deklamonte sikur të ishte mes të tyre.

Libri i Robert d’Angély është vepra e një jete që autori, i bindur se gjuha shqipe ishte shumë e lashtë, duke u sjellë lexuesve argumentet për të provuar që gjuha shqipe është pararendëse e gjuhës së grekëve të vjetër në Greqi dhe e etruskëve dhe latinëve në Itali.

Kopertina e këtij libri na tregon «Mbishkrimin pelazgjik të Lemnosit» që na shfaqet nga errësira e shekujve, duke na grishur për të hyrë brënda kësaj historie, në kërkim të enigmës. Solange d’Angély. Paris 14 juillet 2011

Solange d’Angely : Fragment nga Parathënia e librit

«Shumë vite pas vdekjes së babait, aventura ime shqiptare filloi me udhëtimin tim të parë në Shqipëri, në vitin 1971, bashkë me nënën time. Ajo nuk e kishte parë Shqipërinë që prej afro 50 vjetësh dhe unë e shoqëroja në këtë pikëtakim me familjen dhe vëndlindjen e saj. Kështu e zbulova Shqipërinë, e cila deri atëherë kishte qënë për mua një vënd imagjinar. Me kalimin e viteve, dëshira për të njohur edhe më shumë këtë vënd nuk pushoi.

Dhe atëherë mendova për valixhen e babait tim, për atë çantë të vjetër lëkure që më shkaktonte një emocion të thellë për atë çka mund të zbuloja në të. U kujtova për dëshirën e tij dhe vështirësitë financiare të botimit të veprës së tij mbi Shqipërinë, vënd të cilin deri atëherë nuk e njihja. Një ndjenjë entusiazmi më përfshiu për të lexuar sa më shpejt veprën e tij dhe për të zbuluar veprën e një jete të tërë. Brënda saj gjëndeshin shënime të shumta të hedhura rastësisht, fletore të mbushura, disa prej të cilave, ato më të vjetra, të shkrojtura me laps, kishin filluar të zbeheshin e shuheshin. Fletoret e tjera ishin me bojë dhe me një shkrim të bukur. Kishte gjithashtu fletore të tjera me shumë referenca bibliografike për Shqipërinë, ku ai kishte hedhur shënimet e studimeve të tij.

Në veçanti gjeta dorëshkrimin original të librit Enigma… e zgjidhur, shkruar në vitin 1962 dhe ndoshta i gatshëm për tu botuar. Ishte një dorëshkrim me një kaligrafi të bukur që të shkaktonte admirim, dorëshkrim që dhe tani ka mbetur i tillë, siç është zbululuar, i ndarë me shtatë fashikuj nga I deri në VII. I shfletoja dhe i lexoja ato shënime të ndritura gjithë etje e kureshtje, pasi për mua ishin një befasi e madhe. Unë gjeta në to përgjigje për shumë pyetje që i bëja vetes rreth Shqipërisë, duke u informuar rreth kohës së antikitetit të këtij vëndi, historisë së saj, kulturës, gjëndjes sociale e veçanërisht gjeta një studim të thellë linguistik për këtë ansambël ballkanik, këtë “trio” gjeografike të përbërë nga Shqipëria, Greqia, ishujt e saj si dhe Azia e Vogël, një “trio” e zgjeruar nga trevat e Italisë e deri në Aleksandri të Egjiptit.

Por diçka themelore është e qartë për mua: kjo vepër e një jete të tërë, kjo njohje e ndërgjegjësim, më shtyu që atë t’ua bëja të njohur së pari shqiptarëve…».

Remzi PËRNASKA : fragment nga Hyrja

Për Robert d’Angély-në pellazgjishtja nuk është tretur, por mbijeton në gjuhën shqipe. Ai shkruan: "Në të vërtetë, pellazgjishtja mitike, në gjendjen më evolutive që i ka dhënë koha, edhe sot e kësaj dite vazhdon të flitet nga shqiptarët, por varet sa e kupton Europa". I shtruar kështu problemi, të shtyn të zhbirosh nëse kemi të bëjmë vetëm me një qëndrim dashamirës dhe këmbëngulës të autorit. Ne, si lexues të thjeshtë, e kemi të vështirë ta përcaktojmë, këtë do ta bëjnë studiues të zot (kompetentë). Ne vetëm sa vërejmë se kjo vepër është heterogjene për nga problematika, por homogjene për nga thelbi, synimi dhe qëllimi i saj. Ai vetë pranon: "Në këtë vepër, ne japim një pamje të përgjithshme të së kaluarës së madhe siç është ajo e popullit të sotëm të vogël shqiptar, të cilin e konsiderojmë me plot të drejtë edhe si popullin më të vjetër të Europës…».

Ideja se gjuha shqipe ka lidhje me pellazgjishten nuk është e re në vetvete. Të gjithë studiuesit që janë marrë me këtë çështje janë munduar të gjejnë një çelës për të dekoduar të fshehtat e pellazgëve dhe të pellazgjishtes. Thuajse të gjithë kanë pasur qasje ndërdisiplinore.

Robert d’Angély, për të provuar stërlashtësinë e shqiptarëve në trojet e veta, krahas shkrimeve të autorëve antikë e të rinj, mbishkrimeve, dokumenteve, e materialeve arkeologjike, miteve, etj., përdor gjerësisht, ndoshta më shumë se të tjerët, edhe të dhëna gjuhësore. Dhe këtë e bën më me lehtësi se të tjerët, sepse mësoi gjuhë të popujve të lashtë të Mesdheut, sepse dinte gjuhë të lashta indoeuropiane, si greqishten e vjetër, latinishten dhe sanskritishten, dhe gjuhë më të reja si greqishten e re, frëngjishten, anglishten, gjermanishten, italishten, persishten, sidomos shqipen, të cilën e njihte me rrënjë si shqiptar i vërtetë, si edhe gjuhë joindoevropiane si turqishten dhe arabishten… ».

Remzi PËRNASKA është Drejtues shkencor pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Doktor Shteti i Shkencave Humane, Francë.


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 997985

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce