Albania

Valdet HAMIDI : Nën peshën e Kryqit nga Luan RAMA

Nga «piktura e revoltuar» tek «piktura e kryqëzimit»

të hënën 12 mars 2012 Nga en

I botuar në janar të vitit 2012 «Valdet – nën peshën e kryqit», është shkruar nga Luan Rama dhe i përkthyer në frëngjisht nga Solange d’Angély dhe autori, i shoqëruar me 11 tablo të piktorit. Ky libër «coffrét» është botuar nga Digital Estampe në Rouen, (France). Shitet tek botuesi «Chez Camille» 06 15 06 45 64 apo përmes email në sitin internet të piktorit www.valdet.org.

Fragmente

Për më shumë se tri dekada, piktori Valdet Hamidi që jeton në Francë ka krijuar një risi të tijën, «pikturën e revoltës». Dhe kuptohet: në rininë e tij, ai u detyrua të ikte më 1969 pas demostratave të stuhishme kur Kosova kërkonte universitetin dhe «Republikën» e saj, dhe për t’i shpëtuar burgut, linçimit apo vdekjes, ai u detyrua të ikte, duke lënë pas “Golgotën” e tij. Dhe ai rrugëtim i gjatë nëpër rrugët e Evropës, me zemrën e revoltuar dhe ëndrrën e thyer, u kthye për të në një kalvar, pasi piktura e tij, arti që do të krijonte, nuk do të kishte mjediset qytetare, lëndinat e gjelbëruara dhe grykat legjendare të maleve të Kosovës, as fytyrën e një populli të urtë e puntor, por do të kishte një trup të gjymtuar, një gojë të hapët, që klithte vazhdimisht nga dhimbja dhe mungesa e asaj toke. Një kokë ku aty këtu shquhet kësula e bardhë malsore. Jo, nuk ishte nostalgji, ishte dhimbje dhe plagë e hapur.

Po, Valdet Hamidi la pas familjen e tij, ëndrrat e tij, rininë e bukur dhe dashurinë, për të udhëtuar në stacionet e zhurmëshme të Evropës me sytë e kthyer gjithnjë nga mëmëdheu, nga Kosova e nënës së tij dhe Shqipëria e atit të tij. Në qindra tabllo që ai prezantoi në galeritë dhe ekspozitat e shumta në Hollandë, Belgjikë e më pas në Francë, revolta u bë tema e preferuar e tij. Jo pse ishte thjesht preferencë, apo se donte të bënte të njëjtën gjë, por sepse ato figura të deformuara nga dhimbja, të afërta me figurat apo personazhet e Francis Becon, me gojën e shqyer nga dhimbja dhe klithma e lirisë, me ato trupa të zënë në një ngërç të gjatë shumëvjeçar, me fëmijët që ndjekin nënat dhe baballarët në udhët e botës, largimi nga dhuna e Serbisë totalitare e nacionaliste, pra gjithë kjo botë pikturale vigjëlonte mbi telajon e bardhë, e gatshme për të derdhur zinë e vet, trazinë, shpërfytyrimin, figurën morbide, me ngjyra të errta dhe okër si dheu. Ishte ikje, ekzil … Kalvar dhe revoltë në telajot e tij, aty ku pa dashje, dhe gjithnjë, po ajo atmosferë i rivinte, po ajo britmë që rrinte zgjuar. Ishte dhimbja dhe ofshama e madhe e një populli të dhunuar, të linçuar, të shkelur jo me këmbë, por me zinxhirë tankesh.

Disa vjet më parë në telajot e tij shfaqeshin demat dhe toreadorët, të preferuarit e Goya-s dhe të Hemingway-it, apo cikle figurash femërore, mjaft delikate, ku shpesh e kuqja dhe purpura shprehin një lloj ngazëlllimi. Dukej sikur revolta ishte shuar. Kosova e kishte tashmë Republikën e vet. Por artisti nuk është vetëm në raport me historinë shoqërore dhe çështjet nacionale. Ai është gjithnjë përballë dhe dramës së vet, dramës krijuese, përjetimit të tij dhe përballimit të asaj çka jetuar. Rrugëtimi dhe kalvari duket se ka përfunduar, por ja që artisti i rikthehet peripecive të tij, zhgënjimit, dramës personale e kolektive në kuadrin e humanitetit. Dhe ja pse para kavaletit, atij i rivjen përsëri tema e kalvarit të brëndshëm dhe e “kryqëzimit”. Pasi në fund të fundit, dhe vetë krijimi është një cfilitije dhe kalvar i përditshëm, kërkimi i mundimshëm është i dhimbshëm, si krijimi i një plage, është artisti që në rrathët e trungut të tij jetësor (historia shkruhet gjithnjë brënda tij, pa çka se nuk i duken nga jashtë rrathët, ashtu si rrathët e një peme arre), ka shumë gjurmë të dhimbjes. Duket se simbolin e dhimbjes totale, të historisë dhe njerëzimit e ka dhënë në kulminacionin e vet një njeri: ky ishte Jezu-ja i Nazaretit të Jude-së.

«Për ushqim kam veç rënkimet e lotët,

Që si ujë derdhen e vërshojnë.

Tmerri që kisha më kapi.

Dhe ajo që dyshoja, më ndodhi. »

Libri i Job, Dialogu midis Job-it dhe miqve të tij, 3/24, Dhjata e Vjetër.

As Hamidi dhe as unë nuk jemi besimtarë. Si agnostikë, ne e shohim Jezu-në si një njeri që duhet të ketë ekzistuar dhe si një nga shëmbujt e jashtëzakonshëm njerëzorë, që me sakrifikimin e tij predikoi tri gjëra të mëdha: dashurinë, tolerancën dhe pardonin. Tri elementë bazë të një jete të paqtë dhe humane. Ja pse Jezu-ja në kryq, në telajon e Hamidit nuk është thjesht Jezu-ja, por vetë artisti, apo një “si-vëlla” i tij i një kombi tjetër në dramë e tragjedi. Madje aty këtu dallohet dhe mjekra dhe flokët e tij të gjata. Po t’i referohemi Biblës, një nga personazhet më simpatikë për Hamidin (po ashtu dhe për mua) është figura e Job, në Dhjatën e Vjetër (Libri i Job-it), të cilit iu desh të provojë vuajtje të jashtëzakonëshme, i vënë në provë nga Zoti.

Por nëse Job u vu në sprovë nga Zoti, Hamidi u vu në provë nga e “Keqja” (Le Mal). A nuk ishte një sprovë braktisja e tokës dhe familjes? Rrugëtimi i mëtejshëm i familjes së tij drejt Perëndimit? A nuk është një sprovë lufta e përhershme për të mbijetuar si artist? Sprovë për të përballuar të “Keqen” që ekziston në shoqëri?...

Dhimbjen absolute në art nuk e ka shprehur vetëm ky piktor. Madje referencë për të janë Goya, Rembrandt. Po kështu mund të shtonim Caravaggio-n që përndiqej dhe vdiq nga etja dhe uria, por dhe shumë artistë të tjerë të mëdhenj. Historia e artit është e mbushur me shëmbuj të sprovave të mëdha të artistit përballë shoqërisë por dhe përballë artit të tij. Portretet e fundit të Rembrandt, pak para se të shuhej nga kjo botë, mbartin një dhimbje të madhe. Po kështu afresket e Goay-s në fundin e jetës së vet, atëherë kur gjysëm i verbër pikturonte serinë e zezë, siç e kanë quajtur kritikët në “Quinta del Sordo”, (Shtëpia e Shurdhit). “Klithma” e Munch mbart një dhimbje tronditëse, aq sa kushdo që gjëndet para kësaj tablloje, tronditet, ashtu siç është tronditur para një “Guernica” e Picasso-s apo pikturat e Frida Khalo-s, piktores meksikane që e lidhur në shtrat, duhej të pikturonte shtrirë duke pasqyruar dhimbjen e saj të madhe fizike e shpirtërore.

Ja pse cikli i fundit i Valdet Hamidit është ai i “Kryqëzimit”. Jo i Jezu-së së Nazaretit, por një alter-ego e tij, një tjetër, të tjerë pasardhës njerëzorë dhe jo hyjnorë, të ngjashëm me njeriun e thjeshtë, pasi jo rrallë e ndjejmë veten të kryqëzuar, duke pyetur si Jezu-ja në kryq Hyjninë qiellore: “Përse nuk më ndihmon o Zot”! Në një formë tjetër dhe me konvencione të tjera ky lloj kryqëzimi është shprehur në pikturat e “burgut totalitar” të disa piktorëve shqiptarë të krijuara gjatë viteve 90’. Në ato tablo është dhunimi i lirisë, ai i “kryqëzimit” të trupit, kryqëzim që u heq format natyrale, i deformon dhe kërkon t’i përçudnojë, ndërkohë që në vetvete ato mbartin klithmë dhe revoltë, duke qëndruar njëkohësisht me dinjitet para vëndit të kryqëzimit dhe inkuizitorëve.

“S’është errësira ajo që më merr jetën as terri që fytyrën më mbulon…”

Libri i Job, Dialogu i Job-it me miqtë e tij, 17/ 6,7, Dhjata e Vjetër.

Dikush mund të pyesë se përse kaq vonë Hamidi i është kthyer këtij cikli të “kryqëzimit”. Por kuptohet se ai këtë kryqëzim e sheh në planin personal, artistik, në proçesin dhe jetën cfilitëse të artistit, rrugë nga ku mund të lindë e përkyera, ajo që quhet vërtetë “art”. Pra ky kryq, i dhënë me ngjyra e forma të ndryshme, herë i errët dhe herë ku mbizotërojnë fasho drite në okër apo ngjyra e tone të kuqe, është për piktorin thjeshtë një metaforë. Nëse Schubert thoshte se “muzika ime ka lindur në vuajtje”, edhe Hamidi mund ta perifrazojë kështu nismën e tij. “Requiem” i Mozart, një nga veprat më tronditëse të tij dhe të muzikës botërore, u krijua kur ai ishte në shtratin e vdekjes, kur përpëlitej midis jetës dhe vdekjes dhe kur Salieri i kërkonte Amadeus-it partiturat e krijimeve për të cilat ishte paguar dhe që ai i krijonte në dhimbje e delir. Amadeus në shtrat, me krahët e hapur dhe gishtat që rrahin ajrin nën një ritëm muzike, dukej si një i kryqëzuar, ku apoteoza e dhimbjes thoshte klithmën e mrekullisë. E rëndësishme është ta kuptojmë këtë “kryqëzim” figurative të piktorit, një semiologji ku është më shumë portreti ai që na çon drejt mesazhit, idesë.

I.

«Një re daravitet e shkon:

Ja tek zbret ai në ferr për mos tu ngjitur më!

Kurrë s’do të kthehet më në shtëpi të tij

Dhe vatra e tij s’do ta njohë më.”

Libri i Job, Dialogu i Job-it me miqtë e tij,7/9, Dhjata e Vjetër.

Para se të kalonte kufijtë e errësirës, Valdet Hamidi quhej Valdet Kuçi. Por meqë jeta e artistit kërcënohej, në Perëndim, atij iu desh të marr një mbiemër tjetër.

Ai ka vite e dekada që s’ka folur për ikjen e tij, atë rrugëtim që kujtesa nuk e ka harruar. Rrugëtim me peshën e makthit të përndjekjes dhe të syrgjynosjes. Nën peshën e Kryqit.

Njeriu ishte shënuar për tu kryqëzuar. Dhe këtë përballje të mundimshme me kryqin që e ruajti brënda koshiencës dhe inkoshiencës së tij.

Ishte koha e «rinisë së plumbit».

Kohë e ëndrrave të shkelura e të ndaluara…

Dhe ja, pas 40 vjet krijimi në Perëndim, tema e “kryqëzimit” u shfaq vrullshëm. I dënuari donte të fliste përmes imazheve të ngjizura brënda tij…

II.

“Ju jeni drita e botës. Një qytet i ngritur në lartësi nuk mund të fshihet. As flakëza nuk ndizet për ta vënë në magje, por për ta vënë në vëndin e vet që drita juaj të shkëlqejë në sytë e të gjithëve, në mënyrë që duke parë veprat tuaja, ata t’i bëjnë lavdi Atdheut tuaj që është në qiell.»

Ungjilli sipas Mateut, Kripa dhe drita, 13, 14, 15, Dhjata e Re.

Në kryq, si Jezu-ja. Laitmotiv i një jete, i një epoke. Andej kanë kaluar furtunat. Sytë e tij panë përmbysjen e qiejve. Në telajot kullonte zi.

Atje, zija pulsoi për një kohë të gjatë. Këngë e përzishme.

Dhe artisti qëndronte atje, duarlidhur, pa mundur të bënte diçka për popullin e tij.

Ashtu si ata, edhe ai vuante kryqëzimin. Një dhimbje në vetmi.

Por brënda tij flinte shpresa. Digjej. Si një flakë né tablotë e De La Tour.

Peneli ishte arma e tij dhe njëkohësisht armë e kujtesës. Për të bërë që dhe heshtja të flasë me ngjyrë dheu, ngjizur në telajo.

Heshtja në ngjyrën memece të syve të mbyllur, ku ditët, muajt, stinët janë gozhduar në Kryq. Stinët e mos-kthimit, e mos-krijimit, të tablosë së nisur e të pambaruar, të prishur dhe të filluar rishtas, njollë pas njolle, linjë pas linje, për të krijuar trupin e xhveshur, të tijin dhe të vëllaut, fqinjit, mikut, ndërkohë që në tokën e tij, tre mijë kilometra larg, njerëzit mbillnin lotë, vdekjen dhe zjarrin, njerëzit që né perëndim ndiznin pishtarët e zemërimit e të furisë.

III.

«Përse më përndiqni ashtu si Zotin ?

A nuk u ngopët me gjakun tim ?

Ah sikur të shkruheshin fjalët e mia,

Dhe të gdhëndeshin me hekur e plumb,

Që gjithnjë ato të mbeteshin të ngulitura!

Libri i Job, Dialogu I Job-it me miqtë e tij, 19/ 22, 23, 24, Dhjata e Vjetër.

Përse ?

Duket se kjo pyetje është thelbësore në ekzistencën njerëzore, pasi ajo është në gjenezën e vet njeriut. Dhe kjo sepse e “keqja” e përgjon çdo hap qënien njerëzore. Utopistët kanë tentuar ta fshehin këtë, që me “Qytetin e diellit” të Campanella-s apo “Utopia” e Thomas Moore, apo shkrimet e utopistëve të tjerë. Realiteti dhe historia e kanë kundërshtuar parajsën e ëndërruar dhe të predikuar deshpërimisht. Ja pse në krijimtarinë e këtij artisti, ai përpiqet jo t’i japë përgjigje kësaj pyetje, por ta bëjë atë, ta pozojë, t’i japë formë, ta mishërojë artistikisht, pra të bëjë dhe ai vetë pyetjen: Përse? Dhe kjo është një pyetje e artistit me shoqërinë dhe veprën e tij. Van Gogh e ndjente dhe e vuante përjashtimin nga rrethi i artistëve në zë të kohës së vet. Veprat e tij nuk shiteshin, edhe pse i vëllai, Théo, ia blinte apo e ndihmonte me para që të mund të mbijetonte dhe të shpresonte në veprën e tij. Dhe ai shpesh e bënte këtë pyetje: Përse?.. Këtë pyetje e bënte gjithashtu dhe Arthur Rimbaud, të cilin poetët e Parisit, “parnasianët”, e përjashtuan nga rradhët e tyre. Autori i Zanoreve dhe i Anijes së Dehur, i Përshndritjeve, (Illuminations) dhe Një stinë në ferr, gjatë krijimtarisë së tij pesë vjeçare e ndjeu veten të braktisur, të flakur dhe ja pse morri udhët e botës, duke bredhur në shkretëtirat e Arabisë dhe të Afrikës, gjersa u kthye veç për të vdekur në vëndin e tij. Shëtiti në shkretëtira si një “si-vëlla” i Gjon Pagëzorit. Pyetja «Përse?» është pra një pyetje thelbësore e artistit, që nga koha e Sokratit dhe Homerit. Dhe kjo pyetje është e dukshme në pikturën e Hamidit, veçanërisht në serinë e tij të «kryqëzimit»: Përse?...

Dhe aureola e të «kryqëzuarit» është e zbehtë, pa dritë, pa përshkëndritje. Eshtë e zbehtë si një hënë e braktisur, si një diell i vrarë.

Valdet Hamidi

Ekspozita personale :

- Nga viti 1979 më 1981: Ekspozita të ndryshme në galeri të Brukselit si në AGORA, N, L’ANGLE AIGU, L’ŒIL...
- Në vitin 1982: në Stuttgart të Gjermanisë: «Homazh Rimbaud-së», e më pas një ekspozitë në Musée Rimbaud në Charleville-Mézières. 1983 : «Installation» në Paris. Exposition dans l’atelier de Levallois-Perret, në galerinë ARTE VIVA, pastaj në «Galerie 67».
- Nga viti 1985 më 1992: + Ekspozitë në galerinë MONTI-CURI dhe në galerinë LAURENT TELLIER. + Ekspozitë në Salon d’Automne du Grand-Palais, në Centre Matisse të Unesco-s. + Në Bashkinë e Groslot në Orléans, ekspozitë nën patronazhin e ministrit të Tranporteve, J. Dufiaque.
- Nga viti 1992 më 1995: Ekspozitë në Château du Marais, (Essonne). Ekspozitë në Orly, (aeroport); në Salon de la Palette d’Argent në Bruyères-le-Chate; Ekspozitë në Orly (aeroport); në Salon de la Palette d’Argent à Bruyères-le-Chatel.
- Nga viti 1996 më 2011: + ART ENSEMBLE në Marcoussis. + Ekspozitë në krahinën e Limours. + Ekspozitë në Galerie JUTTA në Paris. + Ekspozitë në Musée de l’Armée de l’Air në Bruxelles. + Ekspozitë në GALERIE DE L’ETOILE në Parisin 17. + Ekspozitë kolektive me rastin e prezantimit të librit: «Quinze ans de peinture contemporaine vue par Dominique Stal», («Pesëmbëdhjetë vjet të pikturës bashkëkohore sipas Dominique Stal»). + Ekspozitë-atelier SENEC’ART; ekspozitë në Galerie VANURA, Versailles, + Ekspozitë në Galerie Septentrion, Marcq-en-Barœul, dhe shumë ekspozita të tjera.


Ballina e sitit | Kontakt | Plani i sitit | | statistikat | visitat 997572

Suivre la vie du site sq  Suivre la vie du site MIRËSEVINI   ?

Tous droits réservés © 1997-2018 Albania
Sitët ndërtuar me SPIP 2.1.8 + AHUNTSIC
sur la ferme à SPIP de DnC développements sites et eCommerce